Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se është hapur udhë për çmimet e unifikuara të barnave, e sipas tij, nëpërmjet kësaj barnat do të kenë çmime të njëjta “kudo dhe më të ulëta sesa tani”.
Sipas Vitisë, disa barnave iu janë ulur çmimet 5 deri në 10 herë.“Në disa nga barnat, çmimet janë ulur 5 deri në 10 herë. Ulje të ndjeshme ka në mbi 2900 produkte medicinale”, është shprehur ai.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
“Edhe një lajm i mirë për qytetarët tanë. Duke filluar nga 1 shkurti 2025, çmimet e barnave do të jenë të unifikuara dhe më të ulëta kudo në vendin tonë. Disa barna do të jenë pesë herë e disa deri në 10 herë më të lira, ndërkohë ulje të ndjeshme në çmime do të ketë në mbi 2900 produkte medicinale. Urime e gëzofshi shëndet të plotë!”, ka shkruar ai.