Kurti për dialogun Kosovë-Serbi: Jetik në rrugën drejt zgjidhjes së problemeve mes dyja vendeve

12:20 | 17 Maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha sot se dialogu Kosovë-Serbi në kuadër të Bashkimit Evropian mbetet jetik për rrugën para për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes dy shteteve.

Por, kryeministri shtoi se për të qenë ky dialog efikas, të dyja palët duhet të respektojnë parimet më thelbësore të demokracisë dhe të Bashkimit Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e tha në takim me studentët nga Akademia Diplomatike e Vjenës, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

“Dialogu Kosovë – Serbi në kuadër të Bashkimit Evropian mbetet jetik për rrugën para për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes dy shteteve tona. Megjithatë, për të qenë ky dialog efikas, të dyja palët duhet të respektojnë parimet më thelbësore të demokracisë dhe të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se Bashkimi Evropian është platforma dhe synimi që ka burime të mjaftueshme dhe traditë për të zgjidhur problemet që ne kemi për të normalizuar marrëdhëniet mes nesh. Ndërsa ecim përpara, Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin tonë ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës”, tha Kurti.

Kurti derisa foli për 15- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sfidat, arritjet e sukseset, po ashtu veçoi edhe qëndrimin ambicioz të Qeverisë që ai udhëheqë ndaj reformave demokratike në të gjithë sektorët e qeverisë, veçanërisht sigurimin e një sistemi më të fortë të mirëqenies, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe përforcimin e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe rritjen e ekonomisë.

Ky progres, theksoi ai, është njohur gjerësisht nga raporte të shumta ndërkombëtare, duke forcuar reputacionin e Kosovës si një histori suksesi në shtetin e demokracisë.

Komento: