Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në të përditshmen austriake “Die Presse”, ka folur në lidhje me mundësinë për eskalim të situatës në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në intervistë për “Die Presse”, Kurti vëmendje të madhe i kushtoi marrëdhënies së Serbisë me Rusinë.
Shefi i ekzekutivit theksoi se Rusia është afruar me Kremlinin më shumë se çka qenë.
“Serbia së fundmi është afruar akoma më tepër me Kremlinin: Beogradi nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë pas sulmit në Ukrainë; Serbia lidhi marrëveshje për furnizim me gaz me Moskën dhe bashkëpunim në politikën e jashtme; dhe Aleksandar Vulin, një nga politikanët serb më pro-rus, u bë shef i Inteligjencës i Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
I pyetur se a mund të ketë një tjetër përballje mes Kosovës dhe Serbisë në kufi, Kurti “shpreson që jo”, por që megjithatë ndjehet i shqetësuar për disa arsye.
“Shpresoj që jo. Por në të njëjtën kohë, mendoj për faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie përreth Kosovës. Në kufirin tonë dhe në veri të vendit pamë persona me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave ‘Ujqërit e Natës’ dhe trupës mercenare ruse ‘Wagner’. Ne jemi të shqetësuar: jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë”, theksoi ai.
Tutje, kryeministri Kurti deklaroi se Serbia po përpiqet ta minojë shtetësinë e Kosovës, dhe se po intimidohet nga arritjet e vendit.
“Ekstremistët e mbështetur nga Beogradi kanë ngritur së fundmi 16 barrikada në veri të vendit tonë. Shpresoj se nuk do të ndodhë më. Por Beogradi nuk pranon që ne jemi shtet i pavarur. Po përpiqet ta minojë shtetin tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE dhe është duke shënuar progres ekonomik. Kjo po e nervozon Beogradin”, tha Kurti.