
Me temën globale “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, aty ku kryeministri Albin Kurti, tha se drejtësia e barabartë nuk është parim abstrakt, por përgjegjësi konkrete e vendit.
Në fjalën e tij, Kurti po ashtu tha se drejtësia e barabartë do të thotë që të drejtat e garantuara nga kushtetuta dhe ligji të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, në çdo komunë dhe në çdo stacion policie, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, ai tha se me barazi, do të thotë po ashtu që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen.
“Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë. Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucione publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar”, tha Kurti, shkruan EO.
Kurti po ashtu theksoi se drejtësia e barabartë nënkupton tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, zbatim të urdhrave mbrojtës, mbështetje për të mbijetuarat dhe përgjegjësi për autorët e dhunës, si dhe barazi në paga dhe qasje në shërbime shëndetësore.