
Kryeministri Albin Kurti tha se ekspozita me pasaktësi për masakrat gjatë luftës në Kosovë duhet të korrigjohet.
Në ekspozitën, njëri prej autorëve të së cilës është edhe Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar dhe mbështetës i Kurtit, kryeministri tha se nuk përfshihen “shumë masakra”.
“Sa i përket ekspozitës e cila, me sa mora vesh tashmë është larguar. Ajo nuk ndodhet më në shesh. Aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte edhe të tilla që kanë pasur gabime në tekst. Ato natyrisht me doemos duhet të korrigjohen e të përmirësohen”, tha ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Kurti tha se kjo ekspozitë është “shumë e rëndësishme edhe për aspektin ndërkombëtar”.
“E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës, por edhe para nesh, në veçanti para të rinjve e brezave që do të vijnë, për shkak se, ju e dini, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë te ne, për të mos thënë gati gjysma, ose kanë qenë fëmijë në kohën e luftës dhe nuk e mbajnë në mend qartë dhe nuk kanë pasur si ta kuptojnë atëherë se çfarë po ndodh, dhe në anën tjetër kemi edhe aq shumë të rinj dhe të reja që kanë lindur pas luftës dhe kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë, jo veç për të kaluarën tonë”, tha Kurti.
Ai tha se “një ekspozitë e saktë, e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha e vërtetë, për krimet e Serbisë në Kosovë duhet të rikthehet sa më parë”.
Kurti përmendi qershorin si “datë optimale” kur duhet të bëhet kjo.
Integra dhe Admovere, dy organizatat autore të ekspozitës me pasaktësi për masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, kanë kërkuar falje në një reagim të dielën në mëngjes.
Dy organizatat që drejtohen nga Shkëlzen Gashi fhe Kushtrim Koliqi, u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimave civile, ndërsa bënë thirrje për “diskutim të hapur” për ta adresuar këtë çështje.
Ekspozita, e cila ngjalli indinjatë të gjerë në Kosovë, me Komunën e Prishtinës që e revokoi lejen për shfaqjen e saj, doli se ishte financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Shkëlzen Gashi tha të shtunën se për të dhënat e masakrave ishin mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktivisttja serbe për të drejtat e njeriut.
Por Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një reagim po atë ditë se të dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë të krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.