Kurti për Kadaren: Anija e romaneve të tij do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë

11:03 | 01 Korrik 2024
kurti-per-kadaren:-anija-e-romaneve-te-tij-do-te-lundroje-pafundesisht,-per-aq-sa-bota-do-te-kete-lexues-dhe-shqipja-shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anija e romaneve të Ismail Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptar.

Pas lajmit për vdekjen e Ismail Kadaresë, shefi i qeverisë së Kosovës tutje tha se arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij.

Kurti poashtu ngushëlloi të gjithë për humbjen e tij, njofton Klankosovba.tv.

“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve”, ka shkruar Kryeministri i Kosovës.

Komento: