Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave pas takimit që pati me kryetarët e komunave sot gjatë ditës.
Kreu i ekzekutivit tha se do të bashkëpunojmë me ShBA për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ani pse kjo e fundit siç thotë ai po bëhet gjithnjë e më abnormale.
“ShBA janë edhe partnerë edhe aleatë tonë, andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale”, tha Kurti para mediave.
Kryeministri i vendit gjithashtu foli edhe për propozimin franko-gjerman, për të cilin ai tha se ka qenë Serbia ajo që e ka refuzuar atë.
I pari i Qeverisë shtoi se Kosova planin franko-gjerman e ka konsideruar si bazë të mirë për bisedime, por që pala tjetër jo.
“Planin evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermani ne e kemi parë si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, të mbajtur me 27 tetor 2022, konkluzion unanim i refuzimit të propozimit, që u bë publik nga Ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq. Pra, ata e kanë refuzuar këtë propozim, ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë për bisedime”, tha Kurti kur u pyet se a është plani franko-gjerman i përafërt për marrëveshje finale”, tha Kurti.