
Kurti ka thënë se asa ishte ministër, Veliu mbajti vetëm një mbledhje për parandalimin e koronavirusit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në një konferencë për media pas vendimit të LDK-së për të dalë nga qeveria që ai drejton.
Kurti në këtë konferencë për media ka thënë se Veliu me veprimin dhe deklaratën e tij, ka bërë tradhti të dyfishtë, ndaj shtetit dhe policisë.
“Të jesh ministër i Brendshëm, dhe të kërkosh kokë në vete shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme do të thotë ta përçmosh policinë tënde. Në Policinë e Kosovës vazhdon orari 8 orësh, pra s’kemi kaluar ende në orarin 12-orësh. Kapacitetet e policisë së Kosovës janë shumë më të mëdha se sa i përdorim ne edhe sonte. Kjo është e pashembullt, është tradhti ndaj Policisë së Kosovës”, tha Kurti.
Kurt kritikoi Veliun edhe për kohën sa shërbeu në ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Gjatë tërë kësaj kohës sa ishte ministër, vetëm një mbledhje e ka mbajtur për parandalimin e përhapjes së virusit korona. Tradhtia e tij e dyfishtë ndaj qeverisë ku ishte anëtar, dhe ndaj policisë, nuk mund të tolerohej”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për akuzat ndaj tij për prishjen e raporteve me SHBA-të. Ai në këtë kontekst tha se kundërshtarët po fshihen pas këtyre thirrjeve dëshpëruese.
“Natyrisht që edhe ne kur e luftojmë krimin e korrupsionin në një shtet ku ende ngelet i kapur, kundërshtarët përpiqen që të fshihen, dhe streha e tyre janë thirrjet dëshpëruese për kinse anti-amerikanizmin e kryeministrit. Këtë e kanë thënë edhe kur ka filluar Lëvizja Vetëvendosje edhe tash kur unë punoj si kryeministër. Këto janë thirrje të dëshpëruara. Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, Kosova është shteti ku Amerika e ka ndikimin më të madh në botë”, tha Kurti.
Kurti tutje tha se Kosova është e interesuar që të kultivojë raporte të mira me SHBA-të, mirëpo edhe me BE-në, pasi që sipas tij, Kosovës i duhen të dyja.
“Ashtu sikurse kemi përpjekje për t’u strehuar nga opozita e sotme, ashtu mund të kemi edhe dikë që është jashtë opozitës. Unë nuk i konsideroj ministrat e kësaj partie apo asaj partie, madje dy ministra që i kam propozuar unë s’janë fare të partisë ku unë jam kryetar. Ne kemi duam, dhe do të kemi aleancë të fuqishme me SHBA-të. SHBA-të dhe BE-ja na nevojiten që të dyja. Ne nuk kemi zëvendësim për to, dhe ato nuk e zëvendësojnë njëra tjetrën”, tha Kurti në këtë konferencë.
Kurti tutje në këtë konferencë foli edhe për taksën, teksa tha se ka të njëjtin qëndrim si në fillim.
“Sa i përket tarifës unë kam shprehur qëndrimin tim që edhe sot e kësaj dite është edhe më i miri edhe më i dobishmi, e që është zëvendësimi i tarifës me reciprocitetin. Serbia duhet ta ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por edhe duhet të heq të gjitha barrierat jo-tarifore”, tha Kurti.