Kurti: Përfundoi rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës rajonale Shipashnicë-Desivojcë-Tërstenë

14:40 | 05 Gusht 2026
kurti:-perfundoi-rehabilitimi-dhe-asfaltimi-i-rruges-rajonale-shipashnice-desivojce-terstene

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka përfunduar projekti për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale R124, Shipashnicë–Desivojcë–Tërstenë, në Komunën e Kamenicës.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Kurti bëri të ditur se, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Liburn Aliu, përuruan përfundimin e projektit, i cili ka kushtuar rreth 3 milionë e 256 mijë euro.

Sipas Kurtit, rruga ka një gjatësi prej rreth 10 kilometrash dhe gjerësi afërsisht 6 metra. Ai theksoi se projekti do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa do të ketë rëndësi edhe për bashkatdhetarët, zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këtë zonë të Komunës së Kamenicës.

Kurti bëri të ditur se punimet janë përfunduar brenda 195 ditëve pune, duke uruar banorët e zonës dhe qytetarët e Kamenicës për përfundimin e këtij investimi.

Komento: