Kurti përjashton çdo mundësi për koalicion me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në

15:38 | 06 January 2025
kurti-perjashton-cdo-mundesi-per-koalicion-me-pdk-ne,-ldk-ne-dhe-aak-ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai ka thënë se madje një koalicion i tillë nuk do të jetë i nevojshëm.

Kurti tha se këto parti nuk janë reformuar ende.

“Ne nuk shohim mundësi që të shohim koalicione paszgjedhore, prandaj i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe partinë Alternativa me të cilët kemi bashkëqeverisur këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë të cilat kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë, për dy dekada nga një herë dy prej tyre nganjëherë të tria bashkë PDK LDK dhe AAK në këto katër vite nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë, ndaje qeverisjes së mirë dhe demokratike nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm.”, tha Kurti në një intervistë për Kosovapress, transmeton gazeta online Reporteri.net. Ai po ashtu është shprehur optimist për arritjen e 500 mijë votave në këto zgjedhje dhe se pretendimet e tij janë realiste. “Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër viteve i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur për synim prej gjysmë milion vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.”, është shprehur Kurti. Kurti foli edhe për stabilitetin institucional në Kosovë. “Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional . Jemi qeveria e parë që çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetin institucional, për dallim prej qeverive të mëhershme që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për Qeveri që për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë. Unë besoj që janë pretendime reale, ma merr mendja që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë besuar që do të jemi mbi 50 për qind më 14 shkurt 2021, që ju duket jorealë që ne të kemi 500 mijë vota më 2025. Por ne i kemi realizuar këto gjëra. Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje sivjet bëhet 2o vjeç dhe nëse shikon rrugëtimin e subjektit tonë nuk të duket real. Prej një subjekti që ka nisur nga të rinjtë në rrugët e Prishtinës, sot jemi subjekti më i madh politik në vend, në Kuvend edhe në historinë pluraliste të Kosovës. “, tha Kurti.

Komento: