Kurti përkujton masakrat në Studime dhe Poklek të Ri: Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve

16:50 | 31 Maj 2026
kurti-perkujton-masakrat-ne-studime-dhe-poklek-te-ri:-lavdi-e-perjetshme-martireve-dhe-deshmoreve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e masakrave të kryera nga forcat serbe në Studime dhe Poklek i Ri, duke i cilësuar ato si dëshmi të krimeve ndaj popullsisë civile shqiptare dhe të sakrificës së popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë.

Në një postim publik, Kurti rikujtoi se më 31 maj 1999 u masakruan 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu në Studime të Vushtrrisë, ndërsa një vit më herët, më 31 maj 1998, dhjetë civilë shqiptarë u vranë dhe u zhdukën në Poklek të Ri të Drenasit. Ai theksoi se këto ngjarje mbeten kujtesë e përhershme e çmimit të lartë të lirisë që gëzon sot Kosova.

“Duke përkujtuar martirët e Poklekut të Ri dhe të Studimes, riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi, për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për një Republikë gjithnjë e më të fortë”, shkroi Kurti.

Ai përmbylli mesazhin me homazhe për të rënët, duke deklaruar: “Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit! I paharruar qoftë kujtimi i tyre brez pas brezi!”

Komento: