Lëvizja Vetëvendosje po dëshiron koalicion parazgjedhor me LDK-në.
Lutjet e përditshme të Albin Kurtit dhe zyrtarëve të VV’së për një koalicion parazgjedhor s’po i dëgjon askush në LDK.
Partia e Isa Mustafës s’dëshiron ta bëjë Kurtin Shef të Qeverisë. Këtë pozitë po e ruajnë për vete.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që postin e shefit të Qeverisë ta mbajë për vete. Për këtë punë, zyrtarë të këtij subjekti politik po deklarojnë se nuk e kanë ndërmend të negociojnë me asnjë subjekt tjetër politik.
“Deklaratat e ndryshme të zyrtarëve të partive tjera, në këtë rast edhe të atyre të vv, nuk i marrim si oferta, janë deklarime dhe dëshira të tyre. LDK do të garoj për ti fituar zgjedhjet dhe me Kryeministër nga radhët tona”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri.
Tutje ai ka deklaruar se LDK do të shkojë e vetme në zgjedhje.
“Kryetari Mustafa edhe dje e ka thënë qëndrimin e LDK-së, se ne shkojmë të vetëm në zgjedhje, të matemi secila parti para elektoratit”, ka shtuar ai.
Të shtunën LDK zgjodhi Isa Mustafën për Shef të Partisë. Ende organet tjera partiake s’janë emëruar duke përfshirë Nënkryetarët, anëtarët e Kryesisë dhe as Sekretarët.
Deputeti i LDK’së ka deklaruar se ende nuk është vendosur përfundimisht se kush do të jetë pjesë e kryesisë së re.
Mirëpo, Ismet Beqiri shpreson se do të mbetet ende në pozitën aktuale që e ka në parti.
“Për Kryesinë e LDK-së vendos Kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm, pra është në kompetencën e organeve të Partisë. Poashtu edhe Sekretarin e Përgjithshëm me propozimin e Kryetarit e zgjedh Këshilli i Përgjithshëm”, thotë Beqiri për Express.
“Unë çdo detyrë që më është ngarkuar e kam marr dhe kryer me përgjegjësi, pra kjo çështje është në mandatin e Kryetarit dhe KP”, ka deklaruar Beqiri.
E Lidhja Demokratike e Kosovës të shtunën mbajti konventën e IX-të zgjedhore, ku me aklamacion u rizgjodh në krye të partisë Isa Mustafa. Ndonëse ende nuk janë kryer procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe të kryesisë, po aludohen disa emra brenda partisë që kanë gjasa të mëdha të kandidohen për kryeministër të Kosovës.
Lutfi Haziri, edhe pse lë të kuptohet se ka ambicie të kandidojë për shef të Qeverisë, ai e pranon se gjasa të mëdha për këtë post ka Vjosa Osmani, me të cilën para pak kohësh pati mosmarrëveshje.
Haziri, përkundër përplasjeve që kishte pasur me Vjosa Osmanin, mendon se kjo e fundit gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë gjasa të mëdha për postin e kryeministres.
‘’Vjosa Osmani gjithmonë i ka pasë gjasat dhe ka me i pasë. Edhe sot u konfirmu edhe ajo çështje. LDK është unike edhe pritet rikthimi i madh i LDK’së, por nuk lidhet me asnjë emër të përvetçshëm. LDK e ka një ekip të madh dhe ekipi do të dalë fitues, dhe jo individi. Është spekulative me u marr me individin. Prej sot, LDK ka të bëjë me ekip, e jo individ’’, ka thënë Haziri.
LDK e mbajti të fshehur kandidatin konsensual deri në ditën e votimit, duke mos zbuluar asgjë deri më sot.
Fatmir Sejdiu, Melihate Tërmkolli e disa emra të tjerë dolën haptas kundër Isa Mustafës, i cili po kritikohet për rizgjedhje edhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
LDK po kritikohet me të madhe edhe pse nuk po i lë vend njerëzve të rinj të marrin udhëheqjen e saj.
Kosova ka mbetur pa zot shtëpia tash e gati tre javë. Kjo pas dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të vendit më 19 korrik të muajit që e lam pas.
Vendi sipas partive politike parashihet që të shkojë në zgjedhje në shtatorin e këtij viti. Ndërkohë që data ende nuk është vendosur nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçit.
Madje ky i fundit ende nuk i ka thirrur në takim konsultativ partitë politike ato të koalicionit PAN e as partitë tjera opozitare për të biseduar rreth datës së zgjedhjeve.
Isa Mustafa para se të bëhet Shef për herë të tretë i LDK’së ka mbajtur pozitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Ka udhëhequr Kryeqytetin për dy mandate. Ka qenë pjesë e Kabinetit të ish-Presidentit Fatmir Sejdiu.
Pasluftës ka qenë pjesë e Bordit të Universitetit të Prishtinës.
Para luftës ka mbajtur pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë në Ekzil të udhëhequr nga Bujar Bukoshi. Ka pasur pozitë ekzekutivie edhe në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë përkatësisht në Komunë e Prishtinës.