Kurti premton: Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike në rajon

05:08 | 14 November 2024
kurti-premton:-kosova-do-te-behet-destinacioni-kryesor-per-prodhimtari-filmike-ne-rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke ndarë vendimet e marra në mbledhjet e sotme të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se Kosova do të bëhet destinacioni kryesor në rajon për prodhimtari filmike.

“Miratuam rregulloren për të Drejtat e Rabatit, e cila përmes investimeve të huaja që do të tërheqë do ta bëjë Kosovën destinacionin kryesor për prodhimtari filmike në rajon”, ka shkruar Albin Kurti.

Postimi i Kurtit:

Në mbledhjen e 230-të morëm 18 vendime. Ndër to miratuam:

-Rregulloren për të Drejtat e Rabatit, e cila përmes investimeve të huaja që do të tërheqë do ta bëjë Kosovën destinacionin kryesor për prodhimtari filmike në rajon;

-Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, që krahas luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfundimisht na e mundëson aplikimin për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane apo SEPA. Anëtarësimi në SEPA do t’i kursejë ekonomisë sonë e qytetarëve tanë dhjetëra miliona euro në vit që aktualisht shkojnë si shpenzime për transaksione ndërbankare e ndërkombëtare;

-Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030 që synon ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve dhe shërbimeve shëndetësore për ta;

-Planin trevjeçar për Rezervat Shtetërore dhe Programin Vjetor për Rezervat Shtetërore të Mallrave 2025.

Gjithashtu ndamë 7.36 milionë euro për zbatimin e masës 2.2 për Mbështetje të bizneseve për qasje në financa të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, si dhe Komunës së Shtimes i dhamë në shfrytëzim afagjatë disa prona për realizimin e projekteve kapitale në këtë komunë si ndërtimi i Objektit të ri të QKMF-së, ndërtimi i objektit të ri të Komunës, përfundimi i projektit të tregut të gjelbër.

Komento: