Kurti: Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij brenda e jashtë, për liri, demokraci e pavarësi

18:03 | 07 Shtator 2024
kurti:-presidenti-rugova-perfaqesonte-politikat-e-tij-brenda-e-jashte,-per-liri,-demokraci-e-pavaresi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 34-vjetorin e Kushtetutës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, teksa tha se pikërisht më 7 shtator, sot, në Podujevë u zbulua shtatorja e presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Kurti tha se fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por sipas tij, Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje.

“Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj”.

“E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së. Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar”, shkroi Kurti

Tutje, kreu i qeverisë tha se me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, demokraci e për pavarësi.

“Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”, shkroi ai.

Komento: