
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion të klubit Vespa Fanatics Prishtina, të udhëhequr nga kryetari i klubit, Enis Berkolli, njëherësh kryetar i Vespa Club Kosova, me të cilët ka biseduar për aktivitetet e klubit dhe organizimin e festivalit ndërkombëtar “Vespa Festival Prishtina 2026”.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti shprehu mbështetjen për klubin dhe falënderoi anëtarët për promovimin e Kosovës në aktivitetet ndërkombëtare.
“Duke u ofruar mbështetje, kryeministri Kurti i falënderoi për përfaqësimin që po i bëjnë Kosovës në organizimet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përgatitjet e festivalit “Vespa Festival Prishtina 2026”, i cili do të mbahet më 5 dhe 6 shtator në kryeqytet.
“Përfaqësuesit e klubit treguan se në këtë festival pritet të ketë klube pjesëmarrëse nga më shumë se dhjetë shtete, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Turqinë, Greqinë, Italinë, Zvicrën, Gjermaninë, Belgjikën, Spanjën dhe Meksikën”, bëhet e ditur në komunikatë.
Sipas njoftimit, në festival pritet të marrin pjesë edhe personalitete të rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar të Vespa-s, si Mauro Calestrini, president i Vespa World Club, Marco Manzoli, sekretar i Piaggio Group dhe sekretar i Vespa World Club, Rossella Fugaro, përfaqësuese e Vespa Trophy, si dhe përfaqësues të tjerë të Vespa Club Europa.
Në takim u diskutua edhe për aplikimin dhe përgatitjet që Kosova të jetë organizatore e festivalit “European Vespisti Week 2028”.
“Pjesë e rëndësishme e bisedës ishte aplikimi dhe përgatitja për organizimin e festivalit ‘European Vespisti Week 2028’, në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Klubi Vespa Fanatics Prishtina numëron rreth 120 anëtarë, mbi 30 prej të cilëve janë gra. Muajin e kaluar, klubi përfaqësoi Kosovën në “European Vespisti Week 2026” në Ostend të Belgjikës dhe në “Vespa World Days 2026” në Romë të Italisë.