Kurti pret sot Lajçakun dhe këshilltarët e Macronit e Scholzit, Qeveria jep detaje

08:58 | 09 Shtator 2022

Në Kosovë do të qëndrojnë sot emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak si dhe këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emanuel Macron. Bëhet fjalë për Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se kryeministri Kurti do të ketë takim me ta

Takimi do të zhvillohet në orën 10:00 në ndërtesën e Qeverisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne”, bën të ditur kryeministria.

Nuk raportohet se do të ketë konferencë për media.

Nga Qeveria gjermane gjatë kësaj jave deklaruan se qëllimi i kësaj vizite do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve në dialogun Kosovë-Serbi.

Në fundjavë u bënë publike dy letra të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, në të cilat u bëhej thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për normalizim sa më të shpejtë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këto letra të ndara, Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, njoftuan se ngarkuan në detyrë këshilltarët e tyre për politika të jashtme dhe siguri, për t’i dhënë mbështetje emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçakut.

Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Komento: