Kurti priti grupin që ka punuar në përmbylljen e Agjendës së Reformave

21:08 | 27 November 2024
kurti-priti-grupin-qe-ka-punuar-ne-permbylljen-e-agjendes-se-reformave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, kanë organizuar pritje për grupin që ka punuar në përmbylljen e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes, duke shënuar kështu suksesin në përgatitjen dhe negocimin e saj.

Bëhet e ditur se kryeministri Kurti tha se kur është bërë prezantimi zyrtar i këtij instrumenti nga ana e Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, më 8 nëntor të vitit 2023, të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e tij dhe filluan punën dhe angazhimin në këtë proces.

“Negocimi i agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes në tërësi ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ka qenë një proces i ngjeshur i analizimit, draftimit, negocimit, dhe koordinimit të kësaj agjende të reformave, e puna po zhvillohej paralelisht si në Bruksel ashtu edhe në Prishtinë”, u shpreh kryeministri, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Kryeministri tha se Kosova ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë gjithnjë draftet e kërkuara për agjendën e reformave. “Pothuajse në të gjitha rastet Kosova ka qenë e para. Është punuar shpejt, me përgjegjësi dhe pastër si për kostot financiare për secilën reformë ashtu edhe për listën indikative të projekteve investive”.

Ai po ashtu tha se është bërë një punë e shkëlqyeshme që plani të ketë pronësi, të jetë relevant për nevojat e Kosovës dhe të jetë në harmoni me dokumentet e tjera strategjike e të planifikimit të vendit.

Në këtë pritje, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderoi të gjithë për punën e shkëlqyer.

Si rezultat i këtij plani, bazuar në zbatimin e reformave të dakorduara me Komisionin Evropian, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro.

Komento: