
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se, Prizreni do të lidhet me Tetovën e Maqedonisë së Veriut dhe Shkodrën e Shqipërisë.
“ Rruga Prizren-Tetovë po bëhet. Kjo rrugë do t’i lidh dhe forcojë shqiptarët, por si Lidhja ku jemi sot”, tha Kurti.
Sipas tij, Prizreni nuk do të lidhet vetëm me Tetovën.“Prizrenin dhe Gjakovën do ta lidhim edhe me Shkodrën”, tha ai.
Kurti duke folur nga fshati Vicë i Tetovës, kishte promovuar idenë e lidhjes së turizmit malor mes Tetovës dhe Prizrenit, përmes rrugës së re. Ai bëri me dije se rruga Prizren-Tetovë është shumë me rëndësi për dy anët e kufirit.
“E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjell Zoti në tokë, malet e Sharrit i kanë ndarë dhe kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, kishte deklaruar Kurti duke shtuar se si qeveri shprehin interesim që të ecin sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës.
Kurse përmes një postimi në Facebook, Kurti kishte treguar se kostoja e këtij projekti të madh infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro.
“Të premten në Tetovë. Sot në Prizren. Rruga Prizren-Tetovë është kryetema. Në bazë të parallogaritjeve, kostoja e këtij projekti të madh infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro. Prej tyre afër 150 milionë euro janë për tunelin 6.4 kilometërsh përmes malit të Korfit (Vërtopit), e që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai i Kalimashit. Ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që do të lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme sa për aktualitetin e qytetarëve, aq edhe për potencialin ekonomik e turistik”, kishte shkruar ai.