Kurti: Projektet e baterive do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm

13:38 | 10 January 2025
kurti:-projektet-e-baterive-do-te-kene-ndikim-te-drejtperdrejte-dhe-te-menjehershem

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot morën pjesë në ceremoninë e lansimit të Parakualifikimit për Projektin e Ruajtjes së Energjisë përmes Baterive, të cilat do të vendosen në qytetet Ferizaj dhe Istog.

Në fjalën e tij hyrëse, Kurti deklaroi se përtej inovacionit që sjellin, projektet e baterive do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm, përfshirë stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe uljen e kostos së importit të energjisë, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji për amvisëritë dhe bizneset, si dhe hapjen e rrugës për integrim të mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtëritshme si era, uji dhe dielli.

“125 MW të këtij sistemi do të operojnë nën Korporatën për Ruajtjen e Energjisë dhe 45 MW të tjera nën KOSTT-in që do të përdoret për balancim të rrjetit – të dyja këto ndërmarrje publike, të dyja në shërbim të vendit e të qytetarëve”, tha ai, njoftojnë nga zyra e kryeministrit.

Tutje, veçoi rëndësinë e Instrumentit të Katalizatorit Amerikan për Zhvillim në kuadër të Programit Kompakt, i cili hap rrugën për financimin e projekteve që përqafojnë ekonominë e gjelbër dhe inovacionin. Programi Kompakt, i cili është financuar me 202 milionë dollarë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe 34.7 milionë dollarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqëson një investim të madh në pavarësinë tonë energjetike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.

“Ky është një moment i rëndësishëm për bizneset dhe sipërmarrësit tanë, një thirrje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të fuqishme për Kosovën”, tha kreu i qeverisë.

Ai shprehu edhe falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe besimin e tyre në vizionin e qeverisë për një sektor energjetik të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se “Rruga jonë drejt tranzicionit energjetik të vendit është e qartë. Diversifikimi i burimeve të energjisë së pastër dhe rritja e kapaciteteve për ruajtje dhe furnizim të energjisë, së bashku me decentralizimin e rrjetit dhe kapaciteteve në menaxhimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, do të mundësohen përmes programit Kompakt dhe sistemit të Baterive. Furnizimi i sigurt me energji, kostot më të përshtatshme së bashku me uljen e ndikimit në mjedis, janë edhe synim i strategjisë kombëtare për Energji dhe veprim i vazhdueshëm i politikave të qeverisjes sonë”.

Komento: