
Albn Kurti ka dërguar disa pyetje për Prokurorinë Speciale.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka pyetur Prokurorinë Speciale të Kosovës se pse gjashtë muaj nga ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, nuk ka pasur rezultat në hetimin e krimeve të luftës.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka theksuar faktin që drejtësia kosovare e ka mundësinë që kriminelët e luftës t’i gjykojë edhe në mungesë, shkruan lajmi.
Sipas tij, gjykimi dhe dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e gjithë njerëzimit.
Kurti thotë se prokurorët specialë, s’mund të qëndrojnë pasiv ndaj kësaj dukurie.
Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:
Gjashtë muaj më parë, me 30 maj, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke ia mundësuar sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë. U gëzuam kur u amandamentua ky ligj, sepse më në fund edhe Kosova po ndiqte shembullin e Kroacisë, duke fituar të drejtën për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve tanë. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht, sepse janë ende gjallë të mbijetuarit e familjarët e viktimave.
Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj?
Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë, jo vetëm përballë kombit tonë, por përballë gjithë njerëzimit. Prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në lidhje me këtë.