Kurti publikon shifrat e reja të Trustit: Fondi arrin vlerën 4 miliardë e 245 milionë euro

20:05 | 13 Korrik 2026
kurti-publikon-shifrat-e-reja-te-trustit:-fondi-arrin-vleren-4-miliarde-e-245-milione-euro

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) ka shënuar rezultat rekord në investime gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Sipas Kurtit, nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, kthimi bruto nga investimet e Trustit ka arritur në rreth 312 milionë euro, që përbën rezultatin më të lartë brenda një gjysmëviti që nga themelimi i këtij institucioni.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka shënuar rezultatin më të lartë investues brenda një gjysmëviti që nga themelimi i tij”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se, së bashku me rezultatet e viteve paraprake, nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, Trusti ka akumuluar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet.

Sipas tij, kthimet kanë qenë:

88 milionë euro në vitin 2023;
247 milionë euro në vitin 2024;
309 milionë euro në vitin 2025;
312 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Kurti ka thënë se këto rezultate janë “lajm i mirë për qindra mijëra kontribuues”, pasi kursimet e tyre menaxhohen për sigurinë financiare pas pensionimit.

“Rezultatet e tilla dëshmojnë rëndësinë e qeverisjes së mirë, profesionalizmit, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale”, ka deklaruar ai.

Ai ka përgëzuar Bordin, menaxhmentin dhe punonjësit e Trustit për punën e bërë, duke theksuar se vlera totale e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës tash ka arritur në 4 miliardë e 245 milionë euro.

“Duke e respektuar pavarësinë institucionale dhe profesionale të Trustit, do të vazhdojmë të kontribuojmë në përmirësimin e kuadrit ligjor, në mënyrë që kursimet pensionale të qytetarëve të menaxhohen me siguri, transparencë dhe perspektivë afatgjatë”, ka shkruar Kurti.

Ai e ka cilësuar këtë rezultat si “një lajm të mirë për kontribuesit dhe një arritje të rëndësishme për Republikën e Kosovës”.

Komento: