
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg për secilin nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Kurti thekson se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës qëndron në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit, duke nënvizuar se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare.
Sipas tij, lufta e UÇK-së u zhvillua në rrethana të okupimit të egër, kur dhuna sistematike dhe apart’heidi po shndërroheshin në gjenocid shtetëror ndaj popullit të Kosovës. Kurti vlerëson se çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik dhe politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e luftës çlirimtare.
“Kurrë nuk kemi pasur plan shfarosjeje të ndonjë populli tjetër apo të civilëve”, thuhet në reagimin e kryeministrit në detyrë, i cili kritikon kërkesën e Prokurorisë si të pambështetur në standarde të pranuara ndërkombëtare të dënimit.
Kurti shton se kjo qasje injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë çështjen në një “vakum juridik”, duke e shkëputur nga realiteti i një kryengritjeje çlirimtare dhe anti-kolonialiste.