Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ShBA-ja vazhdon të jetë partner në shtetndërtimin demokratik dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar unë, prandaj besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesor në shtetndërtimin tonë demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke por ajo është në qendër”, tha Kurti.
Kryeministri tha se kanë takime të vazhdueshme me serbët lokalë, për t’i dëgjuar hallet e tyre.
“Dialogu me serbët lokalë është i përditshëm, përgjithësisht jo publik edhe vizitat në terren, edhe pritjet e tyre në ministri dhe kryeministri tona janë të rregullta, ne takohemi me ta për hallet e tyre që janë të aspektit social e ekonomik, por edhe të drejtësisë dhe të qasjes sa më të kollajshme në institucionet e vendit tonë”, tha Kurti para gazetarëve.