Albin Kurti thotë se kryespiuni duhet të emërohet nga Qeveria e re.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka bërë me dije kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt se Shefi i ri i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës do të emërohet nga Qeveria e re, raporton Express.
Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se vendimi për të parin e institucionit më të lartë të sigurisë në vend i takon kryekëput qeverisë së re.
“Qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre”, ka shkruar Kurti.
Edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka deklaruar para një jave se shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm.
“Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që kryeministri i ardhshëm së bashku me presidentin të zgjedhin drejtorin e ri”, kishte deklaruar Mustafa.
Ndryshe, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të AKI-së më 6 nëntor, institucion ky që e udhëhoqi për vite me radhë, deri në skandalin me gylenistët, kur edhe u shpërblye me pozitë në Agjencinë për Inteligjencë.
Dorëheqja e Maxhunit u konfirmua nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
“Kam pranuar dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, z. Shpend Maxhuni, nga funksioni i tij në krye të Inteligjencës kosovare”, kishte shkruar Haradinaj.
Express ka raportuar para dy ditësh se ish-kreu i AKI’së po kërkon punë në Policinë e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z. Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Policia.