Kurti shfajëson Policinë për rastin e vrasjes së shtatzënës, ua lë përgjegjësinë Prokurorisë e Gjyqësorit

22:17 | 02 December 2022

Kryeministri Albin Kurti e ka larguar përgjegjësinë nga Policia e Kosovës lidhur me rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK’së, duke e drejtuar gishtin ka Prokuroria e Gjyqësori.

Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Kurti ka thënë se “Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë.”.

Kurti ka deklaruar se në rastin e fundit, Policia nuk i paraprin prokurorisë dhe gjyqësisë, por i pason ato.

“Në raste si ky i fundit, Policia nuk i paraprin prokurorisë dhe gjyqësisë, por i pason ato në mënyrë të dyfishtë: policia zbaton urdhrat e prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe vepron në një kontekst social të sendërtuar ndër shumë vite nga gjykimet e dënimet, apo më mirë të themi mos dënimet e mëhershme. Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”, ka deklaruar Kurti.

Ka deklaruar edhe se asnjë mos veprim s’do të kalojë pa u ndëshkuar.

“Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë i tij:

Vrasja e dyfishtë e mbrëmjes së 30 nëntorit e ka goditur tërë shoqërinë tonë dhe e ka tronditur mbarë popullin tonë. E njëjta ka pasuar vrasjen e një gruaje tjetër nga burri i saj, në shtëpinë e saj para një jave. Derisa ne bëjmë përpjekje për të vetëdijësuar shoqërinë mbi rëndësinë e barazisë gjinore e respektimit të gruas, jemi dëshmitarë të një realiteti që mbetet i shurdhër ndaj thirrjeve, nismave, veprimeve e përpjekjeve tona. Përpjekjeve të cilat i shtyjmë nga dita e ardhjes në Qeveri e të cilat kanë munguar gjatë, shumë gjatë.

Me vite të tëra shoqëria jonë e mban dhunën në familje si çështje private, kurse abuzimin ndaj partnerit si çështje dënimi. Ndryshimi është i mundur, përgjigja institucionale ndaj këtyre krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme, por inicialisht ky ndryshim duhet të fillojë nga vetë ne, nga secili prej nesh. Kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm!

Në luftën e fundit në Kosovë, gratë kanë vuajtur më shumë se burrat. Njëmend burrat janë vrarë më shumë, por gratë kanë hequr më shumë. Edhe për shkak se ju qëndruan burrave të tyre afër, e familjeve të gjera pranë. Kontributi dhe sakrifica e grave në luftën çlirimtare çmohet pak e njihet edhe më pak. Mijëra gra të përdhunuara e kanë hall jo vetëm mungesën e drejtësisë nga e djeshmja por edhe praninë e stigmatizimit në të sotmen. Ndërkaq, burrat zakonisht nuk po e kanë kurajon të ballafaqohen me pafuqinë e dikurshme për të mbrojtur gratë dhe shpesh as të vlerësojnë sukseset e mëdha kudo të grave sot. Gratë të cilat kanë hequr më së shumti para një çerek shekulli, sot i kanë sukseset ma të mëdha.

Barazia me popujt e tjerë duhet të shoqërohet me barazinë gjinore brenda popullit tonë. Çlirimi ynë kombëtar nga lufta e fundit nuk e ka sjellur edhe çlirimin e grave në shoqëri. Këtë po na e dëftojnë gratë përditë me betejat e tyre për barazi gjinore e të cilat po zhvillohen kryesisht në sferën private. Nëpër familje përditë rrihen gra e jo rrallë edhe vriten. Gruaja bëhet dëshmi e rezistencës së paepur dhe luftëtare e luftës për barazi. Gratë duhet ndihmuar e përkrahur nga gratë dhe nga burrat në këtë luftë që po e emancipon gjithë shoqërinë tonë. Kjo betejë nuk është shumë më e lehtë sesa ajo e para një çerek shekulli. Jo vetëm për shkak se kësaj radhe NATO-ja nuk do të intervenojë.

Forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe nuk i kanë kursyer gratë shqiptare shtatzëna. Përkundrazi. Aty kanë konsideruar që po i vrasin dy veta me një goditje. Dhe, sidomos që po vrasin të ardhmen tonë duke qëlluar e therrur foshnjet në bark të nënave. Vrasja e grave shtatzëna gjatë viteve 1998-1999 është ndër dëshmitë kryesore të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më falni por mua kjo m’u kujtua parmbrëmë kur dëgjova lajmin e vrasjes së Hamide Magashit.

Të nderuar të pranishëm,

Nga patriarkalizmi mbytës që ishte edhe para luftës, nga neoliberalizimi shpronësues që na erdhi pas luftës, nga traumat e patrajtuara të ngjarjeve gjatë luftës, jemi aq shumë të lënduar, por njëkohësisht disi edhe shumë të fortë. Le të bëhemi edhe të fuqishëm duke ngadhënjyer bashkë në këtë betejë vendimtare.

Të nderuar të pranishëm,

Dënimi i kriminelëve nuk ka të bëjë vetëm me një të kaluar të shkuar, por pikërisht me një të kaluar që nuk shkon. Njëmend drejtësia nuk e ngjall njeriun e vrarë dhe as nuk e zhbën krimin e ndodhur, por ajo ndëshkon kriminelin, e dërgon atë në burg duke e izoluar nga shoqëria së cilës ai i bëri dëm dhe jep shembullin për të gjithë ata që një mendim për krim do të mund ta bënin vepër kriminale. Vuajtja e dënimit nuk shërben vetëm për rehabilitim të të burgosurit, por edhe si simbol i dënimit të së keqes nga shteti, nga shteti i së drejtës. Shembull që shteti nuk fal, që shteti mbron, që shteti ruan si vlerën më të madhe të shoqërisë.

Në raste si ky i fundit, Policia nuk i paraprin prokurorisë dhe gjyqësisë, por i pason ato në mënyrë të dyfishtë: policia zbaton urdhrat e prokurorisë dhe gjyqësorit, si dhe vepron në një kontekst social të sendërtuar ndër shumë vite nga gjykimet e dënimet, apo më mirë të themi mos dënimet e mëhershme. Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale.

Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë.

Institucionet e një sistemi demokratik-republikan, e zvogëlojnë rrezikun për jetë të dinjitetshme dhe i ngrisin shansat për mirëqenie jetësore. Rrezikun në Kosovë nuk e ndajnë njësoj burrat edhe gratë. Gratë janë më të rrezikuara. Por janë në veçanti të rrezikuar nga një kategori e burrave. E tash duhet të bëhemi bashkë, edhe gratë me solidaritet gjinor, edhe burrat, emancipimi i të cilëve është edhe më i nevojshëm sesa i grave, që t’i mbrojmë gratë, të cilat e kanë rrezikun më të madh sesa burrat. Sigurisht që do t’i bëjmë edhe ata byzylykët elektronik kur ka urdhër mbrojtje, por le të mos e përdorim këtë si zëvendësim për një lloj introspeksioni shoqëror. Sepse vrasësit, abuzuesit, nuk e kërcënojnë vetëm gruan, e kemi parë se si e kërcënojnë motrën e gruas, e kërcënojnë fëmijën, e kërcënojnë prindin e gruas dhe ne nuk mund t’i vendosim me byzylykë elektronik gjithë familjarët e viktimës. Pra, introspeksioni shoqëror është i pazëvendësueshëm. Kjo nuk do të thotë që nuk do të angazhohemi e të investojmë më shumë, edhe për aspektet teknike e teknologjike të mbrojtjes sa më efikase. Por le të mos e përdorim këtë që mos të bëjmë introspeksionin shoqëror, se na paska dalur një zgjidhje fantastike teknologjike dhe nuk paskemi nevojë ta shqyrtojmë pak së brendshmi shpirtin tonë si shoqëri, në kohën kur vrasjet e grave ndodhin edhe më shpesh sesa një për javë.

Disa nga hapat që është dashur të ndërmerren, e nuk i ka ndërmarrë askush deri me tani, por që i bëri Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po i theksoj në vijim: funksionalizimi dhe takimet e rregullta të grupit ndërministror; plotësim ndryshimi i Ligjit për Ndihmë Juridike Falas: viktimave të dhunës i ofrohet ndihma juridike falas pavarësisht gjendjes socio-ekonomike; plotësim ndryshimi i Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit: pra, eliminimi i procedurave burokratike për kompensim të viktimave (nga janari deri tani janë kompensuar); ofrimi i ekspertizës Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimi dhe miratimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimi dhe miratimi i Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunimeve Seksuale; hartimi i Kurikulës për profesionistët për programet e trajtimit të kryerësve të veprës së dhunës në familje; plotësim ndryshimi i Kodit Penal dhe Procedurës Penale, me qëllim të dënimeve plotësuese për personat që shpallen fajtor për dhunë në familje dhe seksuale, si dhe publikimi i emrave të dhunuesve, e caktimi i paraburgimit ndaj personave të dyshuar.

Me kaq ne vetëm sa kemi filluar dhe nuk do ta ndalim këtë betejë të përbashkët. Sepse, as edhe një më shumë!

Komento: