Kurti takohet me kongresistin James P. McGovern, ZKM jep detaje

22:54 | 19 Gusht 2024
kurti-takohet-me-kongresistin-james-p.-mcgovern,-zkm-jep-detaje

Kryeministri Albin Kurti është takuar me kongresistin James P.McGovern në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndron për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e pareshtur të Kongresit ndaj Kosovës dhe për kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe etapat shtetndërtuese të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Kryeministri Kurti e njohu kongresistin McGovern me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë në tri vitet e fundit. Ai tha se rankimet ndërkombëtare të Kosovës qëndrojnë si dëshmi e fuqishme e avancimit tonë si shtet demokratik, teksa si Qeveri jemi angazhuar maksimalisht në shpërndarje të barabartë të zhvillimit tonë ekonomik tek të gjithë qytetarët.

Më tej, kryeministri shtoi se kjo përfshin dhe përkrahje të theksuar për integrim për të gjitha komunitetet, dhe përfshirjen e tyre brenda sferave të jetës shoqërore, si në aspektin ekonomik, po ashtu dhe në atë institucional. Në kuadër të disa prej masave e politikave të ndërmarra nga Qeveria, ai përmendi ndër të tjera rindërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë dhe pilotimi i projektit për edukim të përbashkët mes komuniteteve shumicë dhe joshumicë”, thuhet në njoftim.

Kurti e ka falenderuar kongresistin edhe për avokimin e vazhdueshëm për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, të cilët u vranë padrejtësisht nga forcat serbe në vitin 1999.

Kurti ishte takuar me kongresistin edhe në vizitën e para dy vitesh në Washington.

Komento: