Kurti takohet me Kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, diskutohet për rolin e muzeve në dokumentimin e krimeve të luftës

16:03 | 28 Shkurt 2024
kurti-takohet-me-kryetarin-e-parlamentit-te-irlandes-veriore,-diskutohet-per-rolin-e-muzeve-ne-dokumentimin-e-krimeve-te-luftes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi agjendën e tij, ku u takua me Kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots.

Në bisedën e zhvilluar mes tyre, folën mbi historinë dhe përvojat respektive, veçanërisht në ballafaqimin me të kaluarën e dhimbshme të luftës.

Kryekuvendari Poots foli për mësimet e nxjerra nga përvoja e Irlandës Veriore në përkujtimin e viktimave.

U theksua roli i rëndësisë që kanë muzetë për të përkujtuar çdo jetë të humbur.

Me atë rast, kryeministri Kurti përmendi nismën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për themelimin e Muzeut të Luftës, që në qendër do të ketë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më tej, përmendi po ashtu edhe themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Kurti e falënderoi z. Poots për mikpritjen dhe bisedën e sinqertë.

Prezent në këtë takim ishin dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti dhe ambasadori Nicholas Abbott./Front Online

Komento: