Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Kështu është njoftuar nga ana e qeverisë përmes një komunikate për media ku është shtuar se, në takim është biseduar për marrëdhëniet rajonale dhe se është theksuar rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.
“U bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë”, thuhet në komunikatën për media.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti priti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin
Prishtinë, 14 shtator 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi angazhimin e z. Sarrazin dhe rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
U bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.
Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.