Albin Kurti takohet me Mahir Yagcilar.
Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti është takuar sot me kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Mahir Yagcilar, raporton Gazeta Express.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate dërguar për media nga Vetëvendosje.
“Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë z. Xhelal Sveçla priti në takim Kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) z. Mahir Yağcılar që njëherazi është edhe ministër në detyrë i Administratës Publike. Nga z. Yagcilar pranuam urimet për fitoren e Lëvizjes në zgjedhjet e fundit dhe bashkëbiseduam për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë me theks të veçantë për reformat e brendshme që duhen bërë në administratën publike. Kryetari Kurti e njoftoi z.Yagcilar me prioritetet e qeverisë së re, për bashkëpunim dhe shtetndërtim demokratik që siguron si punësimin e drejtësinë ashtu edhe mirëqenien e integrimin për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se është diskutuar edhe për rolin e komunitetit turk në Kosovë.
“Me z. Yağcılar folëm edhe për rolin e komunitetit turk në Kosovë dhe përfaqësimin e këtij komuniteti. Kryetari Kurti theksoi se zhvillimi ekonomik që krijon vende pune është çelës për përparimin si të individëve ashtu edhe të komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë. Në fund të këtij takimi, shprehëm gatishmërinë për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen”.