Deputetët britanikë mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe NATO.
Në takimin e së martës, kryeministri Kurti i është falënderuar përfaqësuesve britanikë për kontributin e dhënë për Kosovën. Përgjatë këtij takimi është diskutuar vazhdimi dhe thellimi i miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar
Përkrahja e plotë për Kosovën në anëtarësimin në KiE, NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare i është premtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përgjatë takimit me deputetët e Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se të martën, Kurti krahas ambasadorit Ilir Kapiti është takuar me deputetët e Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), të përbërë nga Harriett Baldwin, Stephen Doughty, Alex Sobel, Martin Vickers, Luke Pollard, Matthew Offord dhe Tony Lloyd, në Parlamentin Britanik.
“Kryeministri Kurti i njoftoi deputetët për të arriturat në Kosovë, sundimin e ligjit, ngritjen ekonomike, dhe çështje të tjera aktuale në Kosovë dhe rajon”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, theksohet se Kurti iu falënderua përfaqësuesve britanikë për kontributin për Kosovën. Përgjatë takimit, në fokus të diskutimit ishte vazhdimi dhe thellimi i miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.