Kurti thotë se Devollët e rropën Telekomin

13:13 | 31 July 2019

Kurti thotë se Devollët e rropën Telekomin u bënë të rëndë gjysëm miliard euro.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka reaguar pas shkëputjes zyrtare të kontratës mes Telekomit të Kosovës dhe operatorit Z-Mobile që u bë dje.

Kurti përmes Facebookut ka shkruar se shushunja më e madhe ndaj Telekomit ishte kontrata me Z-Mobile.

Lideri i VV-së ka shkruar se Devollët nuk janë bërë Perandori në Kosovë nga qumështi.

“Perandorinë e tyre Devollët nuk e kanë ngritur me qumësht e dyshekë. Janë bërë të rëndë (gjysëm miliardi euro thuhet), me telefoninë Z-Mobile që e rropi Telekomin e Kosovës, me monopolin në homologimin e automjeteve, me terminalet doganore pranë depove private të korporatës së tyre etj”, ka thënë Kurti.

Ai ka shkruar se Telekomit janë duke ia thithur gjakun edhe shumë shushunja tjera, pos kontratës që kishte me Z-Mobile.

“As Z-Mobile nuk ishte e vetmja shushunjë mbi Telekomin e Kosovës. Kontratat e tjera të dëmshme janë aq të shumta në numër e të larta në vlerë saqë Telekomit nuk i shihet dot lëkura nga shushunjat e panumërta parazitore që ia thithin gjakun nga trupi i saj i zbehur. Mirëpo, Z-Mobile ishte shushunja më e madhe. Të tjerat duhen hequr po ashtu. Të gjitha, sa më shpejt”, është shprehur Albin Kurti.

Ai ka thënë poashtu se 300 mijë numrat e rrëmbyer nga Z-Mobile duhet t’i kthehen Valës.

“Njëkohësisht duhet shëruar plaga ku ishte kjo shushunjë duke kthyer te Vala ata 300 mijë numra të rrëmbyer e duke e dërguar lëndën në prokurorinë shtetërore e cila duhet të veprojë pa vonesë”.

Kurti përmes termave filozofikë ka shkruar se shushunjat ndaj Telekomit duhet të hiqen me flakë.

“Shushunjat nuk duhen prekur me dorë kur ngjiten për trupi. Aq më pak duhen tërhequr meqë këputen e pastaj ngelen pjesërisht brenda trupit! Shushunjat hiqen me flakë, duke ua afruar flakën e duke i prekur ca me të, sepse ato nuk i durojnë dot temperaturat e larta dhe bien përdhe”

Më tej, Kryetari i VV-së ka thënë se në rastin e Telekomit të Kosovës kundër Z-Mobile, punëtorët e sindikatës dhe ekspertët profesionistë janë hidrogjeni dhe oksigjeni i flakës kundër shushunjës.

Komento: