Kurti thotë se e ka bërë vendin “shembull në botë”: Krahasuar me vitin 2000, ekonomia është 7 herë më e lartë

12:08 | 02 December 2024
kurti-thote-se-e-ka-bere-vendin-“shembull-ne-bote”:-krahasuar-me-vitin-2000,-ekonomia-eshte-7-here-me-e-larte

Kryeministri Albin Kurti foli me “krenari dhe vetbesim” në seancën e sotme të Kuvendit për qeverisjen e tij katërvjeçare, e cila sipas tij “ka qenë me plot të arritura”.

“Është e qartë se në Kosovë sot kemi një papunësi të zvogëluar”, tha ai ndër tjerash.

Kryeministri përmendi dyfishimin e buxhetit të shtetit prej kur ai u ul në karrigen e shefit të Qeverisë, ndërsa tha se Kosova është bërë “shembull i jashtëzakonshëm në botë” për ekonomi.

“Jemi shembull i jashtëzakonshëm në botë, ku ka një betejë të madhe për narracion se si zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë bashkë”, tha Kurti.

Paraprakisht, ai tha se ekonomia është shtatë herë më e lartë tash sesa në vitin 2000, kur vendi sapo kishte dalë nga lufta shkatërruese me Serbinë.

“Në Kosovë e kemi dëshminë me të cilën duhet të jemi ndërkombëtarisht krenarë, që edhe çlirimi, edhe pavarësia, edhe liria e demokracia ia vlejnë fort. Meqenëse bruto produkti vendor i vendit tonë për këtë vit është shtatë herë më i lartë sesa në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit. Natyrisht që s’krahasohemi me 1999-ën, për shkak të gjenocidit dhe shkatërrimeve të luftës. Le të krahasohemi me vitin 2020.. më falni, me vitin 2000, vitin e parë pas çlirimit. Pra, në vitin 2024, krahasuar me vitin 2000 është shtatë herë më e lartë ekonomia e vendit tonë. Ndërkaq krahasuar me vitin 2008,, kur është shpallë pavarësia, ekonomia është tri herë më e madhe sesa atëherë. E krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019, është 50% më e madhe”, tha Kurti.

Qeverisja katërvjeçare e Qeverisë Kurti është tema e diskutimit që po zhvillohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Komento: