Kurti tregon 5 arsyet pse Thaçi e Vuçiq s’munden ta ndajnë Kosovën.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në emisionin Pressing ka folur për idenë e ndryshimit të kufijve të promovuara nga Presidenti Hashim Thaci dhe presidentin serb, Aleksandër Vuciq.
Kurti ka thënë se dy liderët nisën një ide të tillë, pasi, sipas tij, ata gjetën vakum në politikën amerikane.
“Mendoj që ka ardhur në një lloj vakumi që e ka ndodhur në politikën amerikane. Për bindjen time këta dëshironin të shisnin Kosovën dhe Serbinë si një ‘deal’ interesant te Amerika, në mënyrë që të shpëtonin dy autokratët”, është shprehur lideri i Vetëvendosjes.
Ai thotë se Thaci e Vuciq kanë paguar analistë dhe njerëz të tjerë me ndikim në botë për të promovuar idenë e tyre.
“Kanë paguar djathtas e majtas ‘think-tankers’ për të përkrahur idenë, e të cilët flisnin gjëra të çmendura, duke u nisur nga Petrisch”, ka thënë Kurti në Pressing.
Ai tutje ka dhënë pesë arsyet, që sipas tij, kanë lënë Thacin e Vuciqin pa e jetësuar idenë e tyre.
“Këta kanë shpresuar se do të bie kancelarja Merkel. Kanë shpresuar se do të gjejnë një këshilltar afër Macronit, që do t;ia kalonte edhe Boltonit [këshilltarit të Trumpit]. Nuk arritën ta gjejnë dikë në Paris. E treta, i ka shokuar protesta e 29 shtatorit. Me joshje për bashkimin e Luginës, ai nuk ka pritur që të ketë kaq shumë kundërshtim. E katërta, kanë shpresuar se do ta ndajnë LDK’në me Vetëvendosjen, kanë shpenzuar shumë për këtë. E pesta është kundërshtimi i Kryeministrit ndaj Presidentit”, ka thënë Kurti.