
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka përmbyllur vizitë e tij në Londër me një takim tre orësh me historianin Sir Noel Malcolm.
Kurti ka thënë se sa herë që takohet, mahnitet nga fuqia intelektuale dhe saktësia analitike e mendimeve të tij.
“Sa herë që takohem me Sir Noel Malcolm, Senior Research Fellow i All Souls College i Oksfordit, mahnitem nga fuqia e tij intelektuale dhe saktësia analitike e mendimeve të tij”, ka shkruar Kurti.
Sipas kreut të VV’së, Kosova ka gjithnjë e më shumë nevojë për njerëz si Malcolm të cilët kanë edhe dijen, edhe guximin për të folur të vërtetën e asaj që Serbia ka bërë në Kosovë.
“Në një kohë kur bota po sfidohet vazhdimisht nga lajme të rreme për të tashmen dhe revizionizmi historik për të kaluarën, Kosova ka gjithnjë e më shumë nevojë për njerëz si Sir Noel, të cilët kanë edhe dijen, edhe guximin për të folur të vërtetën. Pikërisht këtë e ka bërë ai në veprën e tij klasike “Kosova: një histori e shkurtër”. I botuar në vitin 1998, në fillim të luftës sonë çlirimtare, ky libër i ekspozoi dhe shpartalloi mitet që shërbenin si baza propagandistike për fushatën gjenocidale të Serbisë që kryhej ndaj popullit tonë”, ka theksuar Kurti.
“Mbrëmë, në fund të vizitës sime dyditore në Londër, e takova Sir Noel për darkë. Gjatë tri orëve sa ishim bashkë, mbuluam një gamë të gjerë temash, prej ndikimit të inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe procesin mësimor, deri te mbijetesa e veprave të at’ Gjergj Fishtës gjatë sundimit gjysmëshekullor të komunizmit në Shqipëri.Mezi pres të takohem përsëri me Sir Noel Malcolm, historian i shquar dhe mik i madh i Kosovës dhe i gjithë popullit shqiptar”, ka shkruar Kurti.