Kurti tregon se ku dallon draft-statuti i fundit i Asociacionit nga të mëparshmit

20:42 | 14 Nëntor 2023
kurti-tregon-se-ku-dallon-draft-statuti-i-fundit-i-asociacionit-nga-te-meparshmit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth draft-statutit të Asociacionit të cilin më 21 tetor e solli në Kosovë pesëshja e emisarëve.

Ai, ka thënë se ky draft-statut dallon nga të mëparshmit për nga korniza, duke shtuar se dallon edhe nga ai i vitit 2013 dhe 2015 e që sipas tij nuk kishte barazi midis palëve.

“Unë po ua them që dallimi kryesor është korniza, është themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, dhe për këtë arsye, edhe unë kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët, që përafroheshin në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015 dhe ku në fakt nuk kishte barazi midis palëve”, ka thënë Kurti në një intervistë në ATV, transmeton Front Online.

Kryeministri Kurti ka shtuar se draft-statuti i pesëshes është më i avancuar siç ka qenë në vitin 2013 dhe 2015, por pavarësisht kësaj ai ka thënë se ka dërguar edhe kritikat e tij, rreth këtij draft-statuti.

“Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes,  por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, ka shtuar kryeministri./Front Online

Komento: