Rrëzimi i Qeverisë aktuale të Kosovës, po vazhdon të jetë temë shumë e diskutuar nga opozita e vendit.
Albin Kurti, thotë se vendi sa më parë duhet të shkojë në zgjedhje në mënyrë që t’i hapet rrugë zhvillimit ekonomik, prodhimit e punësimit.
Kurti shpreh kategorikisht kundër propozimeve për një Qeveri gjithëpërfshirëse apo edhe teknike, duke shtuar se partie e tij nuk udhëhiqet nga parashikimet, por nga parimet.
“Ne të Lëvizjes Vetëvendosje nuk udhëhiqemi nga parashikimet, por nga parimet. Ne dëshirojmë që të ketë sa më parë për interesin e vendit zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhje demokratike nga të cilat do të dalin institucione me legjitimitet të freskët edhe qeveri e re, e cila do t’i hap rrugë zhvillimit ekonomik të vendit që koncentrohet në prodhim e punësimi dhe tek drejtësia institucionale dhe gjyqësore, e cila përqendrohet te luftimi i krimit e korrupsionit”, ka thënë Kurti, për Ekonomia Online.
“Nuk besoj që formulat dhe kombinimet qofshin ato për Qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse do ta mund ta mbrojnë sovranitetin dhe zhvillojnë ekonominë”.
Kreu i VV-së thotë se me LDK janë duke bashkëpunuar për të siguruar numrat për rrëzimin e Qeverisë, por që nuk do të mbështesin asnjë iniciativë të Listës Serbe në këtë drejtim.
“LVV dhe LDK janë partitë më të mëdha në vendin tonë dhe janë parti opozitare që koordinohen brenda Kuvendit dhe jashtë tij. Ne jemi të interesuar që të largohet kjo Qeveri dhe të kemi zgjedhje të parakohshme”.
“Natyrisht që ne nuk mbështesim iniciativat që burojnë nga Lista Serbe, por është përshtypja ime që Lista Serbe nuk është e interesuar për rrëzimin e Qeverisë. Ajo është e interesuar për një Qeveri të dobët”, tha ai.