Kurti: U desh të presim 17 muaj që Kushtetuesja ta trajtojë Ligjin, por kjo nuk e zbehu bindjen tonë se Byroja do të bëhet

21:27 | 11 Shtator 2024
kurti:-u-desh-te-presim-17-muaj-qe-kushtetuesja-ta-trajtoje-ligjin,-por-kjo-nuk-e-zbehu-bindjen-tone-se-byroja-do-te-behet

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për 19 vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kurti e ka nisur postimin me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ku tha se u deshën 17 muaj që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë lëndë, por se kjo nuk e zbehu bindjen e tyre se Byroja do të bëhet.

“E filluam me miratimin e projektligjit të finalizuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. U desh të presim 17 muaj që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë lëndën e dorëzuar nga opozita parlamentare, por kjo nuk e ka zbehur aspak bindjen tonë që ky projektligj është i duhur dhe i nevojshëm dhe që Byroja do të bëhet”, ka shkruar Kurti.

Vendim tjetër më rëndësi të veçantë ka thënë se ishte edhe miratimi i Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

“…përmes së cilit synojmë një shoqëri të përgatitur, edukuar dhe të gatshme të reagojë dhe rimëkëmbet në rast të fatkeqësive natyrore apo sulmeve të armatosura. Atë e kemi hartuar duke u bazuar në sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s dhe mundëson që institucionet qendrore dhe lokale dhe veçanërisht qytetarët e Republikës dhe organizatat e ndryshme joqeveritare të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tona”, ka shkruar Kurti.

Ka përmendur edhe ndarjen e 240 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve për pajisje me tekste shkollore të 3708 nxënësve shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, miratimin e Planit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore Ibër, Lepenc dhe Moravë e Binçës, aprovimin e Koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike Falas, miratimin e Programit për Racionalizimin e Agjencive dhe ofrimin e mbrojtjes së përkohshme për 15 shtetas afganë dhe anëtarëve të familjeve të tyre të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Komento: