Kurti u përgjigjet kritikave për mostransparencë: Mund të flasim për planin franko-gjerman edhe në seancë të hapur

11:31 | 17 November 2022

Kritika për mostransparencë, Kurti: Mund të flasim për planin franko-gjerman edhe në seancë të hapur.

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur kritikave në Kuvend për mostransparencë për procesin e dalogut me Serbinë.

Por, ai tha se asnjëherë më parë s’ka pasë më shumë transparencë, derisa në këtë drejtim përmendi edhe takimet që ka pasë me udhëheqësit e opozitës për t’i informuar për dialogun dhe propozimin franko-gjerman.

“Nuk mendoj që është e drejtë që të thoni se transparenca është zero. Ju pyesni unë përgjigjem. Dialogu Kosovë-Serbi s’ka qenë asnjëherë më transparent që prej rifllimit të tij. Pas çdo takimi të nivelit të lartë, publiku është informuar”.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se pret që Kurti të shpalosë planin franko-gjerman para Kuvendit dhe jo vetëm kryetarëve të partisë.

“Jeni i detyruar që të raportoni para deputetëve dhe jo para kryetarëve të partive, sepse unë s’e kam për obligim të marr informata nga kryetarët, por nga ju sepse ju jeni i ngarkuar për dialogun”, tha Musliu-Shoshi.

Kurti iu përgjigj se mbase do ta diskutojë edhe njëherë me kryetarët e subjekteve politike “që ta kuptoni se asnjëherë s’ka pasë më shumë transparencë se kësaj radhe”.

“Në njërën anë i përmbahem transparencës së procesit, por në anën tjetër edhe konfidencialitet të bisedimeve. Nëse ju e konsideroni të nevojshme që përtej asaj që iu kanë njoftuar liderët e partive tuaj ose që nuk iu kanë njoftuar atëherë mund të organizojmë një seancë edhe të hapur edhe me dyer të mbyllura, por s’mund të thoni që transparenca është zero. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë dhe në këtë kuptim jemi treguar të përkushtuar, kreativë e konstruktivë”.

Komento: