Kurti u takua me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia dhe Francesco Altimari

22:28 | 27 Gusht 2024
kurti-u-takua-me-profesoret-dhe-albanologet-leonardo-savoia-dhe-francesco-altimari

Kryeministri Albin Kurti u takua ditën e sotme me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia nga Italia dhe Francesco Altimari, i cili është arbëresh.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se u bisedua rreth identitetit gjuhësor shqiptar e kulturës, si dhe rreth figurave pionere të Rilindjes dhe çështjes kombëtare, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimin e gjuhës, por edhe përhapjes së saj ndërkombëtarisht.

“Profesori i nderuar Leonardo Savoia, tha se e ka studiuar kulturën shqiptare dhe ndihet i lumtur që shpesh viziton Republikën e Kosovës, për të thelluar më shumë studimet dhe punën kërkimore të tij. Ai së bashku me z. Altimari, do të marrin pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”.

“Profesori Savoia ka mbi 40 vite që merret me studimet mbi shqipen dhe arbërishten. Studime të tij janë botuar edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës e të njëjtat prezantohen kudo ku dëshmohet lashtësia dhe lidhja e shqipes me gjuhët e vjetra. Ndërsa z. Altimari është studiues dhe profesor i shqipes dhe letërsisë në Universitetin e Kalabrisë që prej vitit 1992, si dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Napolit, Universitetin e Lecce-s, Universitetin e Triestes dhe Universitetin e Milano-Cattolica”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Komento: