
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Francë.
Siç ka njoftuar Kryeministria, gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë takim dhe drekë pune me presidentin e Fancës, Emmanuel Macron.
Ditë më parë, Macron i ka dërguar Kurtit, një letër urimi për rizgjedhjen e tij si kryeministër.
Në letrën e tij, presidenti francez theksoi se Franca mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe nxit zbatimin e angazhimeve të marrëveshjeve Bruksel–Ohër nga të dyja palët, si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj europiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Europian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, u tha në letrën e Macronit.
Ai shpreh gjithashtu vullnetin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe projekteve strukturuese, duke përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 që do të mbahen në Kosovë.