Kurti viziton Kryqin e Kuq, i falënderon për mbështetje të qendrave korrektuese

19:32 | 27 Shtator 2023
kurti-viziton-kryqin-e-kuq,-i-falenderon-per-mbeshtetje-te-qendrave-korrektuese

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar sot Shoqatën e Kryqit të Kuq të Kosovës, ku janë pritur nga kryetarja Feride Hyseni.

Sipas një komunikate për medie të Qeverisë, kryeministri Kurti ka falënderuar kryetaren Hyseni për mikpritjen, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim të mëtejmë.

“Me këtë rast, kryeministri Kurti potencoi bashkëpunimin e Kryqit të Kuq nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, derisa theksoi ndihmën që Kryqi i Kuq i ka dhënë Shërbimit Korrektues të Kosovës me veshmbathje për të burgosurit, me përkrahjen e vizitave të familjeve për të burgosurit, derisa familjeve në gjendje të rëndë u është siguruar transporti për vizita në burgje.

Po ashtu, si përkrahje shumë të rëndësishme nga Kryqi i Kuq, kryeministri Kurti përmendi rifreskimin e Bibliotekës në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Gjatë muajit tetor Kryqi i Kuq organizon muajin e solidaritetit në vepër, dhe për këtë kryeministri Kurti ka ofruar bashkëpunimin e tij në njërin nga këto aktivitete”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, kryetarja e Shoqatës së Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, e ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për vizitën dhe shprehu vullnetin e Kryqit të Kuq për bashkëpunim edhe më të afërt në adresimin e nevojave të organizatës dhe arritje e objektivave të saj.

Komento: