Kurtit do t’i shkojë sot në takim vetëm Ramush Haradinaj, refuzohet nga Krasniqi e Abdixhiku

08:55 | 21 October 2022

Refuzohet nga Krasniqi e Abdixhiku, Kurtit i shkon sot në takim vetëm Ramush Haradinaj.

Krerët e dy partive më të mëdha opozitare në vend, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku, e kanë refuzuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për takim. I vetmi që do të shkojë në takimin e thirrur nga Kurti për sot, është kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, shkruan Reporteri.

Lideri i opozitës, Memli Krasniqi, e ka quajtur ftesën e Kurtit si joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, duke refuzuar kështu pjesëmarrjen në takim.

Krasniqi ka deklaruar se s’do t’i shkojnë Kurtit në takim për çështje teknike, por vetëm kur të flitet për marrëveshjen finale me Serbinë.

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Krasniqi ka thënë se për tema të tilla, vendi i diskutimit duhet të jetë salla e Kuvendit të Kosovës, e jo zyret.

Ai i ka bërë thirrje që këto diskutime që i ka planifikuar Kurti për të premten, t’i bart në Kuvend.

Ftesën e Kurtit e ka refuzuar edhe Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Zëdhënësja e LDK’së, Sibel Halimi, i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se për çështjen e dialogut, që u përfol se do të diskutohej të premten në takim, Kurti duhet të raportojë vetëm në Kuvend.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, tha ajo.

Halimi deklaroi se LDK kërkon që marrëveshja finale me Serbinë medoemos të fokusohet në njohje reciproke.

“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.”, ka deklaruar Halimi.

Ftesa e Kurtit për opozitarët erdhi menjëherë pas takimit të tij me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Komento: