Ish-komandanti i KFOR-it, hungarezi Ferenc Kajari në një intervistë për “honvedelem.hu” ka folur për periudhën e shërbimit të tij në Republikën e Kosovës. Kajari ka përmendur jo-stabilitetin politik në vend, duke thënë se në vitin 2020 ishin ndërruar tri qeveri të cilat s’kishin arritur të përfundonin mandatin.
Ai gjithashtu ka folur edhe për rikthimin e Kurtit në pushtet në shkurtin e vitit 2021.
Kajari ka thënë se Kurti pas marrjes së pushtetit kishte filluar implementimin e programit qeverisës, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe demonstrimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Kur e thotë këtë, Kajari përmend vendimin e Kurtit për masën e reciprocitetit për targa, gjë që thotë se ka rritur tensionet në veri të Republikës së Kosovës dhe që kishte rezultuar me bllokada të rrugëve të cilat çonin në pika kufitare dhe bashkë me to edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës që gjendeshin në ato rrugë.
Kajari ka thënë se një zhvillim i tillë kishte treguar se situata e sigurisë ka ndryshuar dhe thekson se KFOR-it i ishte dashur të ndërhynte për të zgjidhur situatën për herë të parë pas disa vitesh.
“Kjo tregoi se situata e sigurisë po ndryshonte. Në atë kohë, për herë të parë pas disa vitesh, KFOR-i duhej të ndërhynte sërish për të zgjidhur situatën dhe për të vendosur forca në zonën në fjalë”, ka thënë Kajari për mediumin hungarez, transmeton Gazeta Express.
Ai ka folur edhe për aksionin e datës 13 tetor, kur Policia e Kosovës ka kryer një aksion kombëtar kundër krimit të organizuar, operacion gjatë së cilit kishte bastisur edhe një bandë të identifikuar për kontrabandë në Mitrovicën e Veriut.
“Kjo çoi në përleshje në rrugë ndërmjet policisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovë, ku u përdorën armë dhe gjithashtu për herë të parë pas disa vitesh një serb u plagos. Ne donim të parandalonim përshkallëzimin e kësaj situate kur unë mora komandën”, ka thënë Kajari.
Kur është pyetur se në çfarë forme ka provuar që të ulë tensionet në veri, Kajari ka thënë se ishte përpjekur ta bindte kryeministrin e Kosovës që forca policore të përdoret në atë mënyrë që të mos çojë në përplasje të ngjashme.
“Kështu kaluan javët e para dhe më pas u bë e mundur të kishte një lloj ndikimi te autoritetet e Kosovës. Propozimi im për kryeministrin e Kosovës ishte që të krijohej një lloj procedure konsensuale policore dhe i ofrova që nëse ai pranon, do të ndërmjetësoj në mes drejtuesve të pushteteve lokale të Kosovës dhe drejtuesve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Kajari.
Ai ka thënë se qëllimi ka qenë krijimi i një konsensusi meqë siç thotë edhe serbët e Kosovës kishin interes për eliminimin e grupeve kriminale.
Kajari ka treguar se përgjigja që ka marrë nga Kurti ka qenë se “Qeveria e Kosovës nuk negocion me kriminelët dhe se policia i kryen operacionet e veta sipas dëshirës”.
Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës, Kajari thotë se ka qenë një paralajmërim se do të kishte tensione në veri në ditët në vazhdim.
“Kjo paralajmëroi se ne duhet të presim operacione të ardhshme policore, duke rezultuar në rritjen e tensionit në veri të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.
Kajari thotë se pavarësisht këtij qëndrimi të kryeministrit të Kosovës, nga mesi i nëntorit deri në fund të janarit, Kosova kishte ndjekur sugjerimin e tij.
“Ne sugjeruam që të mos dërgoeshin njësitë speciale në aksionet kundër kriminelëve, kështu që nuk kishte situata kur aksionet e policisë së Kosovës do të hasnin në rezistencë të serbëve”, ka thënë Kajari.
Ai tutje ka thënë se nga nëntori deri në fund të janarit dhe mesit të shkurtit ishte arritur të konsolidohet situata dhe Policia e Kosovës kishte kryer disa aksione të suksesshme në veri të Kosovës kundër tregtarëve dhe kultivuesve të drogës dhe prodhuesve të kundërligjshëm të kriptovalutave.
Ushtaraku hungarez ka treguar se në një objekt ishin sekuestruar 247 pajisje kriptominimi, që sipas përllogaritjeve hargjonin energji elektrike sa një syqtet i vogël.
Kajari nga të gjitha aksionet ka veçuar aksionin kundër kazinove ilegale në vijën kufitare. Ai thotë se për eleminimin e tyre ishte dashur edhe koordnim me shefin e Shtabit të Serbisë të Forcave të Armatosura të Serbisë
“…dhe faktikisht, me marrëveshjen e tyre, organizata që merrej me veprimtari ilegale u likuidua me sukses. Në përgjithësi, periudha e komandës ishte mjaft e tensionuar që nga fillimi, gjatë së cilës qeveria e Kosovës u përpoq të shtrijë pushtetin e saj në zonën e rretheve me shumicë serbe të veriut të Kosovës me aksione të ndryshme policore kundër krimit të organizuar. Prej fundit të shkurtit në rrethet veriore mbizotëronte një prani gjithnjë e më e madhe e policisë së Kosovës, e cila solli me vete tensionin gjithnjë në rritje”, ka thënë Kajari.