Kusari Lila: Serbia nuk do ta njohë Kosovën përmes taksës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kusari Lila: Serbia nuk do ta njohë Kosovën përmes taksës

13:28 | 16 Shkurt 2019

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se përmes taksës, Serbia s’do ta njohë Kosovën.

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se mënyra se si Qeveria e Kosovës ka vërë taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake, ka qenë jo i menduar mirë në kuptimin e kushtëzimit, pasi sipas saj, përmes taksës, ashtu siç po kërkon kryeministri Ramush Haradinaj, Serbia s’do ta njohë Kosovën.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për masën 100 për qind ka qenë vendim jo i menduar mirë, në kuptimin e kushtëzimit. Serbia domosdo ka nevojë për sanksion të një forme, e Kosova të vetmen mënyrë i ka sanksionet ekonomike në këtë rast rritja e taksës apo vendosja e reciprocitetit, por, do të duhej të kishte një kusht më të qartë ku do të përfitonin qytetarët. Gabimi i Qeverisë, kur ka vërë taksën, ka qenë se s’ka vërë kusht zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, si ajo e energjisë, e lëvizjes së lirë dhe njohjen e dokumenteve të Kosovës.

Kusari – Lila në Intervistën e Javës në KOHA.net, thotë se vendimi i shkruar se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën, është në kundërshti me parimin e dialogut.

Ka folur për platformën e dialogut, e cila këto ditë u dërgua në Kuvend dhe së shpejti pritet të votohet nga deputetët. Por, Kusari – Lila, thotë se nuk e kupton pse duhet votuar kjo platformë kur nuk ka vazhdim të dialogut. Deputetja e Alternativës, ndër të tjera s’u shpreh optimiste se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Ekipi Negociator, ajo tha se ka shumë probleme e aspak transparencë.

Për shtimin e presionit nga SHBA-ja e BE-ja, Kusari – Lila thotë se tregon për një seriozitet të situatës.

“S’kemi asnjë partner më strategjik e më të besueshëm. Nëse je vetëm ti palë në presion, dhe je vetëm kundër krejt botës atëherë çka po synon të arrish? Duhet ta kuptojmë që askush s’do t’i bëjë presion Serbisë me këtë vendim e t’i thotë njihe Kosovën, sepse atëherë, pse duhet dialogu?”, është shprehur kryetarja e Alternativës.

Kusari – Lila, thotë se Haradinaj, do ta mbajë taksën derisa ai është në fuqi e pastaj ta përdorë për fushatë elektorale, por me këtë vendim, ai nuk po mendon për interes të shtetit por vetëm veten.

Kur ka folur për idenë e presidentit Hashim Thaçi për lëvizje kufijsh, i cili ka thënë se s’do ta kishte problem ta bënte pasi janë vërë nga Jugosllavia, Kusari – Lila tha se lëvizja e kufijve nuk rregullon jetën e qytetarëve. “Nuk po vriten serbët e shqiptarët në Kosovë për t’i lëvizur kufijtë tani”, tha ajo.

Kryetarja e Alternativës, në Intervistën e Javës në Koha.net, ka folur edhe për mandatin e saj si Ministre e Tregtisë, atë kohë, kur kishte vënë masë reciprociteti ndaj Serbisë.

“Serbia, pas shpalljes së Pavarësisë nuk njihte vulat doganore të Kosovës, atë kohë këto vula ishin në përputhshmëri me Rezolutën 12 44. S’e lejonin asnjë mall nga Kosova të qarkullonte as tranzit. As në tavolinën e dialogut në Bruksel nuk pranonin t’i njihnin ato. Në koordinim me znj.Edita Tahiri, paralajmëruam masë ndaj Serbisë. Pasi morëm konfirmim edhe nga BE-ja se në tavolinën e bisedimeve në Bruksel Serbia s’pranon t’i njohë, mora vendimin. Kështu, vendosa masën që ndalonte të gjitha produktet serbe dhe kamionët serbë të hynin në Kosovë. Kjo masë zgjati 50 ditë derisa Serbia vendosi t’i njohë vulat”, tha ajo.

Kosova, nesër më 17 shkurt 2019, mbush 11 vjet shtet. E Kusari – Lila, i ka vlerësuar plotë këto vite të Kosovës.

Komento: