Kusari: Përpjekjet e Serbisë për tensione janë të paevitueshme

09:08 | 23 November 2024
kusari:-perpjekjet-e-serbise-per-tensione-jane-te-paevitueshme

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari – Lila, thotë se përpjekjet e Serbisë për tensione janë të paevitueshme, për shkak të qasjes së njëjtë që shteti fqinj mban ndaj Kosovës.

Ajo kështu u shpreh në një intervistë për Ekonomia Online, pasi ditë më parë në Mitrovicën e Veriut janë shfaqur posterë të ndryshëm me ngjyrat e flamurit serb, si dhe me mbishkrimet “Ja ku jemi për Krishtlindje”.

“Është e pa evitueshme sepse do të ketë përpjekje për tensione, por gjithashtu është fakt që të ketë efektin e dikurshëm përpjeka për tensione. Për shkak se tashmë rendi dhe ligji dhe prezenca e institucioneve është në nivel krejtësisht tjetër, natyrisht edhe largimi i të gjithë atyre që kanë qenë qoftë bartës apo urdhërues të organizimit të situatave ku krijohet tensionet është krejtësisht ndryshe”, deklaroi ish- zëvendëskryeministrja.

Sipas vlerësimit të saj qasja e Serbisë që nga çlirimi i Kosovës nuk ka ndryshuar, por rrethanat po.

Kusari – Lila thotë se tashmë në Kosovë ekziston rendi dhe ligji dhe prezenca e institucioneve është në nivel të lartë.

“Me Serbinë si shtetin fqinjë verior dhe me qasjen që e ka të pandryshuar që nga çlirimi i Kosovës, dhe me përpjeke destruktive që nga shpallja e pavarësisë në vazhdimësi çdo gjë është e mundur. Por, rrethanat në terren dhe në katër komunat në Veri janë krejtësisht ndryshe. Institucionet janë të përgatitura për tu ballafaquar me çfarëdo rrethane shpresoj të mos ketë, jo vetëm për shkak të rendit dhe sigurisë, por ka nevojë për normalitet më shumë se për çka do tjetër, ka nevojë për një periudhë kohore në të cilën kemi integrim të plotë kemi kthim në atë se çka është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët atje, pa dallim etnie, normaliteti, punësimi ofrimi i shërbimeve të mirëfillta. Natyrisht integrimi i plotë i fjalës në një shtet që quhet Republika e Kosovës, pa asnjë diferencë të territorit ose pjesët tjera të vendit tonë”, u shpreh ish-kryetarja e Gjakovës.

Ajo tha se viteve të fundit ka pasur tensione të larta si asnjëherë më parë, që sipas saj, kanë qenë të nxitura dhe të sponsorizuar nga Serbia, ndërsa theksoi se të gjithë qytetarët pa dallim duan qetësi dhe prosperitet, dhe se institucionet e Kosovës janë për qetësi prosperitet dhe integrim të plotë.

Në disa prej komunave të veriut të Kosovës janë vendosur posterë me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimet “Ja ku jemi për Krishtlindje”.

Komento: