Kusari ka thënë se PSD-ja e ka ndihmuar Qeverinë që të mos rrëzohet.
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se do të votojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë, pasi sipas saj, kjo Qeveri për të mirën e vendit dhe të qytetarëve duhet të shkojë në shtëpi.
Kusari në një intervistë ka folur edhe për koalicionin qeverisës, dialogun me shtetin serb, bashkëpunimin opozitar dhe taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Ajo ka numëruar disa nga arsyet pse Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, duhet të rrëzohet me anë të mocionit, teksa ka thënë se ky koalicion qeverisës nuk ka potencial për të bërë reforma të mirëfillta të shtetit.
“Absolutisht. Besoj që bile shumë gjatë ka shkua. Ne as nuk e kemi shikuar interesin e partisë, ose a jemi gati a nuk jemi. Po e vërej që partitë e mëdha janë duke bërë kalkulime a i kanë kryer zgjedhjet e brendshme a janë gati, mendoj që për Kosovën është e domosdoshme, për të mirën e qytetarëve që kjo qeveri të shkojë në shtëpi. Do të thotë cdo ditë më tepër ka lajme të themi për paqartësitë që këta i kanë mes vete sesa për ndonjë sukses të koalicionit qeverisës në raport me atë se si qeveriset vendi. Kemi ikje të vazhdueshme të përgjegjësive që ata i kanë, duke filluar nga dialogu, nga zhvillimi ekonomik, nga reformat në drejtësi, nga arsimi. Kemi pasur problem me caktim të datës kur fillon shkolla e kur përfundon shkolla, ose ende më keq në atë se si mbrohet mjedisi dhe së fundi krejt raportet e auditorit që kanë dal qoftë për ministri, qoftë për nivelet lokale, aq shumë kanë sjell parregullsi edhe keqmenaxhim sa që më të vërtetë do të ishte marri me mendua që këta kanë ndonjë potencial ose kapacitet për të bërë një reformë të mirëfilltë të shtetit”, thotë ajo.
Ajo thotë që synimi i partive në pushtet është zhvatja sa më e madhe e pushtetit dhe nxjerrja e privilegjeve. Sipas saj, kjo qeveri ka zgjatur deri tani për shkak të përçarjeve në opozitë, meqë sipas saj nëse opozita do të ishte e unifikuar dhe koordinuar, shumë më herët do të kishte zgjedhje.
Sipas Kusarit-Lila, partnerët e koalicionit qeverisës janë të bashkuar vetëm rreth interesit të tyre, dhe jo për shtyrje përpara të interesave të vendit.
“Jo, ata vetëm janë bashkuar rreth interesit edhe rreth zhvatjes. As një interes tjetër për shtyrjen përpara të proceseve të vendit nuk i lidh këta njerëz. I kemi pa, bile bile bëhen qesharak, janë bërë qesharak kur u votua ushtria e Kosovës, tash me marrë merita për shembull vetëm një Qeveri ose vetëm një kryeministër për ushtri është gjithashtu absurd, se ka qenë votë e përbashkët e të gjithë spektrit politik shqiptar, por edhe pakicave tjera jo serbe. Por, t’i shohësh skenat kur në mbrëmje shkon i viziton presidenti dhe vishet me uniformë, në mëngjes shkon kryeministri dhe mundohet secili me grabitë në atë shkëlqim të momentit se po formohet ushtria ka qenë patetike. Po flasim për një proces edhe një institucion që është shtyllë e shtetësisë edhe që është e domosdoshme dhe që e kanë obligim për ta bërë, dhe mandej po e shohim luftën e krerëve të shtetit për merita. Njëjtë e shohim në secilin inauguri m, do të thotë aq e kanë ndarë dhe e kanë politizuar qeverisjen në vend sa është patetike. E sheh kryetarin e Kuvendit që i rrinë afër ministrit të Kulturës dhe atij të Shëndetësisë se i ka të partisë dhe shkon në inaugurime të projekteve të cilat janë pjesë e ekzekutivit. E sheh kryeministrin që i rrinë afër krerëve të agjencioneve të cilët i raportojnë Kuvendit që do të duhej të ishte e kundërta”, u shpreh ajo.
Kusari ka deklaruar se opozita e tanishme mund të jetë Qeveria e ardhshme vetëm në rast se ndërtohet mbi parime të njëjta, të përbashkëta dhe të qarta.
Qeveria e ardhshme sipas saj e ka një detyrë tepër serioze, por tepër të rëndë. Ajo deklaron se Qeveria e ardhshme duhet ta kuptojë që me qeverisë nuk është vetëm privilegj, por është përgjegjësi., derisa thotë se papërgjegjësia e kësaj Qeverie e rrit përgjegjësinë e Qeverisë së ardhshme.
“Opozita e sotme mund të jetë Qeveria e ardhshme vetëm në rast se ndërtohet mbi parime të njëjta dhe të përbashkëta dhe të qarta. Jo nëse ndërtohet publikisht parime, e privatisht oportunizma politik individual partiak, që do të thotë që nëse edhe qeveria e ardhshme me partitë opozitare sot deklaron se për shkak se janë tri, katër parti opozitare duhet t’i mbajnë 20 ministri, duhet të kenë të emëruar politik, duhet të qojnë njerëz në krye të agjencioneve njerëz politik ose duhet të qojnë nëpër borde. Nëse Qeveria e ardhshme do të ketë sukses duhet të dakordohet prej fillimit…Dikur duhet të ndalen se unë mendoj se nëse vazhdon me të njëjtën atëherë ka me e pas rezultatin e njëjtë dhe Kosova dita ditës ka me u boshatis, se nëse edhe një Qeveri vepron njëjtë sikur kjo Qeveri unë nuk e besoj që ka më kosovar ose kosovare që kanë një përgatitje të lartë, të themi më e thjeshta një diplomë universiteti, k anë kualifikime që mund të gjejnë punë kudo në Evropë, që do të rrinë në Kosovë”, deklaroi ajo.
Nëse vazhdon kjo situatë, ajo thotë se do të përballen me një depopullim të Kosovës dhe të humbjes së shpresës për ata që janë në Kosovë.
Kusari ka folur edhe për Partinë Socialdemokrate, për të cilën ka thënë se me ndihmën që i ka dhënë Qeverisë ka vepruar sikur të ishte parti në pushtet.
“Zyrtarisht e shoh në opozitë, natyrisht ata janë të përcaktuar se nuk kanë marr pushtet, por me ndihmën që ia kanë dhënë Qeverisë i kanë ndihmuar si të ishin parti në pushtet. Do të thotë, votimi i buxhetit, pjesëmarrja në ekipin negociator dhe dialogun, mënyrën se si e kanë parë apo si janë pozicionuar që të marrin pozita udhëheqëse në dialog në kundërshti me vlerat kushtetuese, nuk mundesh me i shfajësua dikush dhe me thënë se këta i kanë bërë vetëm për të mirën e vendit, kur dukshëm është se kanë kalkuluar në atë se sa mundet partia me u aktualizua ose me u fuqizua në skenën politike. Po mendoj që ende nuk është vonë, kanë mundësi me reflektua dhe kanë mundësi me qenë pjesë edhe të rrëzimit të Qeverisë, po ndoshta edhe një qeverisje të ardhshme”, u shpreh ajo.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociator, Kusari potencon se në rrethanat në të cilat është Qeveria sot është e pakuptimtë të kërkohet nga kryeministri Haradinaj të udhëheq me dialogun.
“Dialogu është përgjegjësi e Qeverisë, ndërsa rrethanat në të cilat e kemi Qeverinë sot po më duket e pakuptimtë të shkojmë dhe të kërkojmë prej kryeministrit Haradinaj me udhëheq dialog, ose me mendua që ka me pas hapësirë ose potencial me pas sukses dialogu. Pse po e them këtë, po e them për arsye se sa herë që ka shkuar në Bruksel kryeministri Haradinaj është kthyer me një skandal prej atje, qoftë në raportin personal, qoftë në mënyrën si ka komunikuar dhe në atë se si është prezantuar në emër të Kosovës. Tash kur e ke këtë përvojë të tillë e cila ka dal në vazhdimësi nuk mundesh tash me prit që ai në rrethanat e ardhshme ka me dal i suksesshëm në dialog, kur ai vet ka deklaruar se nuk mundet, nuk ka kapacitet, disa herë ka deklaruar nuk jam për atë, nuk mund ta kontrolloj vetën ose nuk mund të kem qasje çfarë duhet për dialog. Tash kur nuk mundesh duhet ta dish që nuk je as për pozitë të kryeministrit , se Parlamenti e ka përcaktuar, e ka autorizuar Qeverinë që të udhëheqë me dialogun”, potencon ajo.
Ajo thotë se para se të shkojë Kosova në dialog duhet të ketë strukturën, temat, objektivat dhe afatet kohore, e nëse këto nuk janë sipas saj nuk ka arsye që të shkohet në dialog.
Kryetarja e Alternativës thotë se Kosovë përveç se duhet të ketë kushte për të dialoguar me Serbinë, duhet të ketë edhe një listë me tema dhe objektiva që synon t’i nxjerrë nga dialogu.
“Ne brenda kemi nevojë që të kemi më shumë konsensus të brendshëm, të përcaktojmë se çka duam të nxjerrim nga dialogu dhe së treti të shkojmë shumë të përgatitur në Bruksel. Pa arrit te kjo pikë nuk kemi çka marrim pjesë në dialog…Kosova është palë e dëmtuar dhe Kosova jo vetëm që duhet të vendos kushte, po Kosova duhet të ketë një listë të temave dhe objektivave që synon t’i nxjerrë nga dialogu. Përderisa ne si Kosovë shkojmë të papërgatitur ose presim çka tjerët kanë me na tregua, ku ne jemi pala e dëmtuar atëherë më mirë mos të shkojmë fare.
Sipas saj, Serbia duhet të pranojë krimet që ka bërë në Kosovë, duhet të kërkojë falje dhe duhet të paguajë për atë që ka bërë.
Kusari ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Taksa e ka tejkaluar vetën, do të thotë e ka tejkaluar qëllimin për arsye se kemi dështuar si shtet me ia vendos një objektivë të qartë taksës. Taksa prej fillimit, e kam mbështetur taksën, dhe deklaroi edhe sot që do të ishte shumë më e dobishme për vendin sikur të kishte objektivë të caktuar, do të thotë të thuhet se kjo taksë mbetet në fuqi deri në plotësimin e 1, 2, 3, 4, kërkesave specifike që Kosova ia vendos Serbisë. Serbia e meriton në vazhdimësi të ketë një masë e cila ia rikujton sjelljen e saj ndaj Kosovës, qoftë masë reciprociteti, qoftë sjellje e cila e bënë Serbinë të disiplinohet karshi obligimeve ndërkombëtare që i merr. Por, tash me izolimin e vazhdueshëm të Kosovës, me ngecjen në të gjitha nivelet, se më nuk është taksa që e ndal Kosovën vetëm të ulet në dialog, taksa tash po shkakton edhe probleme të tjera, të cilat Kosovës po i rikthehen bumerang edhe në sfera të tjera që nuk janë tà « lidhura vetëm me Serbinë, janë të lidhura me lëvizjen e lirë, me procesin e integrimit, me përmbushjen e standardeve tjera që i kemi marrë si obligim”, u shpreh ajo.
Kusari ka folur edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, për të cilin thotë se është një projekt i cili fsheh korrupsion të madh. Sipas saj, një autostradë e cilën më shumë se gjysmën vlerën e ka shpronësim nuk është projekt fizibil për t’u ndërtuar.
Sa i përket listave të veteranët, ajo tha se duhet të dënohen të gjithë ata që janë të përfshirë e për të cilët ka fakte.
Kusari për një mandat ka udhëhequr me Komunën e Gjakovës, por që thotë se më nuk do të synojë të rimerr postin e kryetares së kësaj komune.