Kush është Dejona Mihali dhe çfarë roli ka? Kështu përgjigjet Kusari-Lila

22:43 | 22 February 2023

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është përgjigjur lidhur me deklarimet e Haki Abazit për Dijona Mihalin, anëtaren e kryesisë së VV-së që ai e portretizoi si person me ndikim të madh te deputetët e ministrat.

Kusari-Lila i konsideron të pavrëteta pretendimet e Abazit se Mihali ua shkruan fjalimet deputetëve, duke thënë se ajo nuk ka rol t’i dirigjojë ata.

Sipas fjalëve të deputetes Kusari-Lila, Mihali operon vetëm brenda kontekstit të VV-së.

“Nuk është aspak e vërtetë që më ka shkruar ndonjë fjalim ndonjëherë. Absolutisht nuk e dirigjon. Nuk është e vërteta deklarata e Abazit. Ajo ka rol, por është në kontekst të organizatës pasi bëhet fjalë për një organizatë të madhe politike që funksionon shumë mirë dhe është e shtrirë shumë gjerë”, shtoi Kusari Lila në T7.

Vetë ajo tha se nuk lejon që të kontrollohet nga askush, përfshirë këtu Dejona Mihalin.

“Unë jam liberale. Nuk kam lejuar asnjëherë të jem kontrolluar nga dikush apo të kem subordinim. Por me Dejonën unë kam pasur bashkëpunim fenomenal me të dhe ka pasur raste kur kemi pasur mospajtime, por i kemi biseduar si njerëz të rritur”, tha ajo.

Ditë më parë, Haki Abazi kishte hedhur akuza të rënda mbi anëtaren e kryesisë së VV-së, Dejona Mihali.

Abazi tha se ka shumë deputetë e ministra që Mihali ua kontrollon fjalimet, por që nuk kanë guxim ta thonë publikisht “sepse nuk rrezikojnë pozitën e tyre”.

“Ata të cilët kanë problem, ata të cilët nuk kanë gatishmërinë për të shkruar fjalimet e tyre të cilat duhet të kontrollohen nga Dejona Mihali. Mund edhe të mos e thonë, mund të ketë ministra që nuk e duan këtë formë të kontrollit por nuk e thonë sepse nuk rrezikojnë pozitën e tyre. Por fakti që dikush e ka këtë fuqi, nuk është në rregull”, deklaroi ai në Debat Plus të RTV Dukagjini.

Komento: