Kush është fajtori për mos liberalizimin e vizave?

13:09 | 30 July 2019

Liberalizimi i vizave vazhdon të mbetët ҫështje e pazgjidhur për Kosovën.

Procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian do të zvarritet edhe më tej nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kështu po vlerëson ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila disa herë kishte premtuar heqjen e vizave me BE-në.

Hoxha ka deklaruar për “Zërin” se ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues të vendit.

“Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin të konfirmuara me konsensualitet në rrafshin ndërkombëtar janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka thënë ajo.

Kurse zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Armend Zemaj, nga LDK-ja e ka fajësuar Qeverinë në largim për dështim në heqjen e vizave, si dhe për ngecjen e diplomacisë kosovare.

“Kjo Qeveri ka shkaktuar dëmin më të madh sa u përket proceseve integruese të Kosovës jo vetëm me mosmarrjen e liberalizimit, por edhe me humbjen e shumë fondeve të BE-së, të investitorëve të jashtëm, si dhe izolim të skajshëm të institucioneve të vendit tonë në raport me vendet e BE-së”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Ai ka vlerësuar po ashtu se me formimin e një qeverie të re do të rikthehej fokusi i BE-së drejt Kosovës, si dhe i lëvizjes së lirë për kosovarët.

“Sa më shpejt të ndodhë largimi i kësaj Qeverie krijohet mundësia që vendet e BE-së ta kthejnë fokusin e të marrin vendimin e shumëpritur për lëvizjen e lirë. Sigurisht kësaj duhet t’i paraprijnë shembujt e një qeverisje të mirë ku do të merren masa të ashpra ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të fenomeneve negative të cilat kanë marrë hov gjatë kësaj qeverisje dyvjeçare të këtij koalicioni PAN”, ka shtuar ai.

Komento: