Kush janë kandidatët për Kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore?

16:08 | 26 November 2024
kush-jane-kandidatet-per-kryeprokurore-te-pese-prokurorive-themelore?

Në mbledhjen e 275-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën janë konfirmuar kandidatët për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe atë: Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.

Në këtë mbledhje, Këshilli konfirmoi edhe listën me kandidatë për Kryeprokuror në Prokurorinë e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kandidatët për Kryeprokuror të Apelit janë: prokurori Agron Bajrami, Arben Ismaili, Ikramije Bojaxhiu, Sebahate Sinani, Sheribane Selimi- Muçaj dhe Shkelzen Ibrahimi.

Kush janë kandidatët për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj?

Për këtë pozitë, kanë aplikuar dy kandidatë: Burim Çerkini dhe Ismet Rrahmani, për të cilët kryesuesi Ardian Hajdaraj bëri të ditur se i plotësojnë kriteret ligjore.

Konfirmim i këtyre kandidatëve u bë me votat e të gjithë anëtarëve të Këshillit.

Kush janë kandidatët për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë?

Për pozitën e Kryeprokurorit të Pejës, kanë aplikuar tre kandidatë: Ersan Qavolli, Lumturije Vuçetaj dhe Sanije Gashi-Seferi.

“Erasn Qavolli, Lumturije Vuçetaj dhe Sanije Gashi-Seferi dhe po ashtu këta kandidatë i plotësojnë kriteret ligjore”, tha kryesuesi Hajdaraj.

Konfirmim i këtyre kandidatëve u bë në mbledhjen e së hënës, me votat e dhjetë anëtarëve të KPK-së dhe një abstenim.

Hajdaraj njoftoi se një kandidate, konkretisht prokurorja Sahide Gashi nuk është konfirmuar nga Komisioni Vlerësues si kandidate, me arsyetimin se një vlerësim e ka pasur të mjaftueshëm.

Kush janë kandidatët për Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë?

Kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë Shpetim Peci dhe Zef Prendrecaj.

Kryesuesi Hajdaraj bëri të ditur se këta kandidatë i plotësojnë kriteret ligjore, andaj konfirmimi i tyre u bë me votat e të gjithë anëtarëve të KPK-së.

Po ashtu, për këtë pozitë ka kandiduar edhe prokurori Nijazi Gashi, por nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit.

Prokuroria Themelore në Gjilan me vetëm një kandidat për Kryeprokuror

Në mbledhjen e 275-të të KPK-së, u bë e ditur se vetëm një kandidat ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe ai është Arben Kadriu.

“Ky kandidat i plotëson kriteret ligjore”, tha kryesuesi Ardian Hajdaraj.

Konfirmimi i Kadriut si kandidat, u bë me votat e të gjithë anëtarëve të Këshillit.

Edhe Prokuroria Themelore në Prizren me vetëm një kandidat për Kryeprokuror

Sikurse për Prokurorinë e Gjilanit, edhe për atë të Prizrenit ka aplikuar vetëm një kandidat, i cili është Petrit Kryeziu dhe që u konfirmua me votat e të gjithë anëtarëve të KPK-së.

Kryesuesi Hajdaraj tha se Kryeziu i plotëson kriteret ligjore që parashihen në këtë konkurs.

Komento: