Kush po i dërgon pacientët për fekondim artificial në Shkup?

15:41 | 25 May 2019

Mbrëmë janë prangosur dy mjekë.

Njësitë e Hetuesisë së Krimeve Ekonomike kanë nisur një aksion për kontrollimin e spitaleve private në fushën e fekondimeve artificiale. Mbrëmë, kanë prangosur dy mjekë.

Burime të Express kanë treguar se Policia është duke realizuar një plan për t’i çuar pacientët drejt Maqedonisë ose janë duke e përgatitur terrenin ndonjë spitali të ri privat që do të ofrojë procesin e fekondimit artificial.

Burime brenda spitaleve kanë treguar se gjithë kjo fushatë po bëhet nga një segment i Policisë së Kosovës, e cila dyshohet se po kryen edhe punë tjera, përpos të hetuesisë.

“Terrori i kontrollove policore po vazhdon në secilin spital privat që bën fekondim artificial. Janë dy arsye pse po e bëjnë një gjë të tillë: Po synojnë t’i çojnë pacientët në Maqedoni ose po përgatitin terrenin për ndonjë spital të ri”, ka thënë një zyrtar i një spitali.

Nga raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës, është raportuar për prangosjen e dy meshkujve shtetas të huaj dhe një mashkull shqiptar nën akuzë për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore në një spital privat në Çagllavicë.

Njësia policore dhe inspektorati shëndetësor kanë bërë kontrollimin e një spitali privat dhe janë sekuestruar si provë material kopjet e dosjeve mjekësore dhe disa dokumentacione të ndryshme. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Komento: